Jo dialog për dialog, Kurti i interesuar për marrëveshje me njohjen reciproke

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se dialogu me Serbinë duhet të jetë dialog për marrëveshje ligjërisht të obligueshme, për normalizim të plotë dhe me njohje reciproke në qendër. Ai ka thënë se është i interesuar për dialog në Bruksel por që varet edhe nga Serbia nëse do të ketë marrëveshje. Kryeministri ka theksuar se reciprociteti është parim i shendosh dhe normal i marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Kurti ka thënë se këto ditë do të intensifikohen takimet me partnerët evropianë dhe ata amerikanë, duke shtuar që në përpjekjen për marrëveshje Uashingtoni dhe Brukseli janë bashkë.

“Kam gatishmëri dhe interesim që dialogu në Bruksel bisedimet atje përveç se të jenë parimore dhe përmbajtjesore të njëjtën kohë të mos jenë dialog për dialog por dialog për marrëveshje, e cila tashmë e ka formulën e qartë, me tri elemente,  ligjërisht e obligueshme, për normalizim të plotë, me njohke reciproke në qendër. Por ju duhet ta kuptoni qe marrëveshja bëhet me palën tjetër dhe në këtë rast varet nga pala tjetër a do të ketë marrëveshje, ndërsa sa më përket mua gatishmëria dhe interesimi janë të padiskutueshme dhe të palëkundshme,” ka thënë Kurti.

Kurti nuk ka thënë se në Bruksel do të flitet edhe për çështjen e reciprocitetit.


“Ne po i marrim vendimet sovrane të Qeverisë së Republikës së Kosovës por unë e kam thënë edhe në takimin e 15 qershorit të vitit të kaluar, edhe në 19 korrik te citit të kaluar me presidentin e Serbisë, se marrëveshja është e qëndrueshme dhe e zbatueshme kur ka parime të shëndetshme përbrenda, reciprociteti është parim i shendosh dhe normal i marrëdhënieve të mira fqinjësore”, ka shtuar ai.

Lidhur me deklaratat e tij ditë më parë për rrezikun e një konflikti të ri, Kurti ka thënë se do të ishte e papërgjegjshme të thuhet se nuk ka rrezik, derisa fqinji verior mban lidhej të ngushta me Rusinë dhe nuk është shtet demokratik.

Megjithatë, Kurti ka thënë se institucionet e Kosovës janë vigjilente dhe nuk kanë frikë nga veprimet që mund të vinë nga Serbia.

Me ftesë të Bashkimit Evropian, kryeministri i Kosovës pritet të takojë presidentin e Serbisë më 18 gusht në Bruksel.

Lexo edhe

Video