Jasharaj: Java e ardhshme pushim i zorit

Komiteti anti-COVID, pasditen e sotme do të vendos nëse institucionet në arsimin para-universitar do të hyjnë në pushim njëjavor, ashtu edhe siç ka propozuar MASh, udhëheqësit e IKShP-së, ShSKUK-së dhe SBAShK-ut. Të njëjtat po kërkojnë që në të gjitha nivelet e arsimit në Kosovë të rishikohet mundësia për mbajtjen e mësimit “online”. Ndërkohë, që një propozim të tillë nuk po e përkrah edhe Këshilli i Prindërve.

SBAShK gjatë ditës së sotme është takuar me kryeministrin në detyrë, Avdullah Hoti, ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, drejtorin e IKShP-së, Naser Ramadani, ministrin e Arsimit, Ramë Likaj, dhe me përfaqësuesit e Këshillit të Prindërve.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj tregon për KosovaPress, se sot pritet të merret vendimi për pushimin pranveror në të gjitha nivelet e arsimit në Kosovë. E që për këtë vendim janë pajtuar të gjitha këto institucione, përveç përfaqësuesve të prindërve.

“U debatua gjerësisht dhe secila palë dha vlerësimin e vet. Ajo çfarë u tha nga IKShP dhe opinioni e di vërtetë kemi një situatë goxha alarmante me COVID-in, me një numër dukshëm të shtuar. Sot nuk kemi debatuar kush e ka fajin për këtë situatë, por kemi debatuar se çka tutje, sepse edhe analizat dhe raportit e Institutit tregojnë se njëri prej sektorëve të prekur me COVID është edhe sektori i arsimit”, njofton ai.

Kreu i SBAShk-ut tregon se propozimi i qeverisë është që javën e ardhshme punëtorët arsimor dhe nxënësit të jenë në pushim, e që gjatë kësaj kohe të përgatiten për mësim online apo mësim në shkolla.


“Një propozim që ka rrjedhur nga qeveria është se java e ardhshme të jetë pushim në kuptimin klasik, ku nxënësit dhe punëtorët e arsimit nuk do të jenë në institucione arsimore. E kam fjalën për shkollat fillore dhe të mesme. Le të jetë pushim, duke mos e emërtuar ndryshe por si pushim i zorit. Me kuptimin që të gjitha institucionet të shikojnë situatën dhe të përgatitemi se çfarë tutje. Duke uruar që numri i të prekurve në nivel vendi të bie. Që do ta na jepte një siguri për t’u kthyer në shkolla apo nëse kjo nuk ndodhë dhe kemi gjendje alarmante në tërë Kosovën, atëherë të përgatitemi që javën e ardhshme për të kaluar në një version që MASh e ka paraparë, mësimi online”, deklaron Jasharaj.

Ai ka lutur prindërit që të mos i qasen kësaj situate “me emocione”.

“Nuk e di pse disa po e marin tragjike mësimin “online ”, i cili edhe për SBAShK nuk është i dëshiruar. Kur edhe në këtë situatë, kemi shkolla që për shkak të numrit të madh brenda shkollës, kanë kaluar për dy apo tri javë në mësim online”, shton ai.

Një vendim të tillë nuk e kanë përkrahur edhe prindërit. Për KosovaPress, kryetari i Këshillit të Prindërve, Ymret Reshiti ka thënë se mbyllja eventuale e shkollave do të ishte në dëm të nxënësve. Sipas tij, ky vendim është i pabazuar, meqë kur po kërkohet mbyllja e shkollave, kafiteritë po vazhdojnë të jenë plot.

Sot në orën 16:00 do të mblidhet komiteti Anti Covid -19, ku edhe pritet të merret vendimi për pushimin pranveror në të gjitha nivelet e arsimit në Kosovë dhe të rishikohen masat në fuqi anti COVID-19.

Lexo edhe

Video