Jakupi: Pas orës 17:00 punojnë vetëm pesë barnatore kujdestare në kryeqytet

Jakupi: Pas orës 17:00 punojnë vetëm pesë barnatore kujdestare në kryeqytet

Pas vendimit për ‘orë policore’, jo të gjitha barnatoret janë hapur gjatë orës kur është e kufizuar lëvizja në kryeqytet. Ato do të ushtrojnë veprimtarinë e tyre prej orës 06:00 deri në orën 17:00, derisa pas kësaj kohe do të punojnë me rotacion.

Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Arianit Jakupi, në një intervistë për KosovaPress tregon se mund të ketë mungesë të ndonjë produkti, por jo të të gjithave. Ai ndër të tjera tregon edhe mënyrën e organizimit të barnatoreve kujdestare.

“Pas orës 5 pasdite do të punojnë vetëm barnatoret kujdestare, të cilat organizohen nga Ministria e Shëndetësisë dhe Agjencia e Kosovës për produkte dhe pajisje medicinale në bashkëpunim me Odën e Farmacistëve dhe nivelet komunale. Sot nga Ministria e Shëndetësisë është komunikuar me të gjithë drejtorët e shëndetësisë të komunave që të merren listat e kujdestarive, për shkak se disa komuna vetëm se i kanë pasur kujdestaritë funksionale. Në mënyrë që të mos ngatërrohen, pra të bëhet një harmonizim i listave dhe kështu për sot është publikuar lista e barnatoreve kujdestare”, tha ai.

Sipas tij, në këto lista është bërë një modelim, ku në 35 deri në 40 mijë banorë, do të jetë e hapur një barnatore. E, vetëm në komunën e Prishtinës, do të jenë të hapura pesë barnatore pas fillimit të ‘orës policore’.

Duke folur për rritjen e çmimeve në farmacitë e Kosovës, ai deklaron se kjo dukuri nuk është e rregullt dhe për këtë nuk duhet të fajësohen barnatoret. Sipas tij, kjo ka ardhur si pasojë e mungesës së produkteve në tregun global.

Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Arianit Jakupi, siguron se furnizimi i farmacive me barna po vazhdon, dhe se sipas tij  deri në gjashtëmujorin e ardhshëm nuk mund të ketë mungesë të barnave esenciale.


 

 

 

 

 

Lexo edhe

error: