Ja çfarë tha trupi gjykues gjatë vendimit për Gucatin dhe Haradinajn

Ja çfarë tha trupi gjykues gjatë vendimit për Gucatin dhe Haradinajn

Trupi gjykues ka ardhur në përfundim se Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj kanë bërë zbulimin e informacioneve të mbrojtura duke u dhënë në dispozicion gazetarëve dosjet që kishin arritur nga persona të panjohur në zyrat e OVL-UÇK-së.

Trupi gjykues ka thënë se materiali në fjalë ishte autentik dhe u përkiste dokumenteve të hetimeve të TFHC-së ose ZPS-së.

Po ashtu trupi gjykues ka thënë se është bindur se materiali ishte trajtuar nga TFHC dhe ZPS.

Lidhur me pikën ‘vepra penale e zbulimit të paautorizuar të çfarëdo informate të nxjerra nga një procedurë zyrtare’ gjykatësi ka thënë se trupi gjykues është i bindur se kërkesat e TFHC-së në paketat 1, 2, 4 dhe dokumentet e paketës 3 përmbushin kriteret si informacion që është shpallur i fshehtë nga një autoritet kompetent.

“Trupi gjykues është bindur se të akuzuarit vepruan me synim të drejtpërdrejt për zbulimin e informacionit të mbrojtur”, ka thënë kryetari i trupit gjykues.

Ai ka thënë se TFHC dhe ZPS në kuadër të hetimeve të tyre nuk i bën publike emrat e këtyre dëshmitarëve të mundshëm.

“Trupi gjykues është bindur se të akuzuarit zbuluan identitete ose të dhëna personale të dëshmitarëve dhe dëshmitareve të mundshëm të marrën në mbrojtje nga TFHC dhe ZPS”, ka thënë gjykatësi.

Sipas trupit gjykues, të akuzuarit vepruan me synim të drejtpërdrejt në zbulimin e emrave të dëshmitarëve.

“Trupi gjykues nuk është bindur se veprimet e të akuzuarve penguan shumë hetimet e ZPS”, ka thënë gjykatësi Smith.


Lidhur me pikën 3 ‘vepra penale e frikësimit’, trupi gjykues ka thënë se të akuzuarit vunë publikisht në dyshim vërtetësinë e informacionit nga dëshmitarët duke i quajtur ata gënjeshtarë.

Sipas trupit gjykues, të akuzuarit iu referuan dëshmitarëve të  mundshëm me një gjuhë nënçmuese dhe kërcënuese, duke i quajtur ata tradhtarë, spiunë.

“Trupi gjykues konstaton se veprimet dhe deklaratat e të akuzuarve shkaktuan kërcënim të rëndë i cili do të kishte krijuar frikë dhe shqetësime të rënda për shumë dëshmitare apo dëshmitarë të mundshëm”, ka thënë gjykatësi.

“Të akuzuarit përdorën kërcënimin e rëndë me synimin e drejtpërdrejtë për t’i frikësuar dëshmitarët dhe për t’i bërë të ngurronin të jepnin informacione”, ka shtuar ai.

Të njëjtin konstatim trupi gjykues e ka dhënë edhe për pikën 4 vepra penale e hakmarrjes.

“Veprimet dhe deklaratat e të akuzuarve përbënin veprime të dëmshme për cilindo person”, ka thënë gjykatësi Smith.

Ndërsa lidhur me argumentet e mbrojtjes trupi gjykues ka thënë se ansjë nga të akuzuarit nuk mund të konsiderohet si sinjalizues.

Trupi gjykues ka konstatuar se deklaratat e të akuzuarve dhe as dëshmitë në gjykim nuk ofrojnë arsye për të besuar se të akuzuarit janë shtyrë për të kryer veprat.

Gjykatësi ka thënë se pretendimi për shtytje është tërësisht i pabazë.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.