Izraeli i thotë SHBA-së se rihapja e konsullatës në Jerusalem është “ide e keqe”

Izraeli i thotë SHBA-së se rihapja e konsullatës në Jerusalem është “ide e keqe”

Ministri i Jashtëm izraelit Yair Lapid ka paralajmëruar se ringjallja e pikës së përdorur për diplomaci me palestinezët, mund të jetë ‘destabilizuese’.

Izrael raportohet se ka njoftuar SHBA se rihapja e konsullatës së këtyre të fundit në Jerusalem, e ideuar për kontakte diplomatike me Palestinën, është një “ide e keqe” dhe mund të destabilizojë qeverinë e kryeministrit të ri.

Qeveria e mëparshme e administratës së Donald Trump sinjalizoi mbështetjen për Izraelin në pretendimet e tij për Jerusalemin duke zhvendosur aty ambasadën nga Tel Avivi.

Por lëvizja ka nxitur zemërim te komuniteti ndërkombëtar dhe palestinezët që pretendojnë Jerusalemin lindor si kryeqytet për shtetin e tyre të ardhshëm.

Presidenti i SHBA-së Joe Biden është zotuar të riparojë lidhjet me palestinezët bazuar në idenë e zgjidhjes me dy shtete të konfliktit, dhe rrjedhimisht të rihapë konsullatën e mbyllur prej vitit 2019.

“Ne besojmë se është një ide e keqe. Jerusalemi është kryeqyteti i shtetit të Izraelit, prandaj besojmë se kjo është një ide e keqe”, tha Yair Lapid, i pyetur sot në një konferencë shtypi.


“Ne e dimë se administrata [Biden] e shikon ndryshe çështjen, por meqenëse kjo po ndodh në Izrael, ne besojmë se ata na dëgjojnë me kujdes”.

I pyetur për komente, kreu i Organizatës për Çlirimin e Palestinës, Wasel Abu Youssef, tha se Izraeli po përpiqet të ruajë gjendjen e ‘status quo’ dhe të bllokojë zgjidhjen politike. Ambasada e SHBA nuk ka komentuar ende.

Izraeli pretendon se i gjithë Jerusalemi është kryeqyteti i tij, një status që nuk njihet nga komuniteti ndërkombëtar. Vendi ka pushtuar lindjen e qytetit së bashku me Bregun Perëndimor dhe Gazën gjatë Luftës Gjashtë-ditore të vitit 1967.

Kryeministri izraelit Naftali Bennett, drejtues i një koalicioni nacionalist, kundërshton shtetësinë e Palestinës. Lapid tha se rihapja e konsullatës do të trazojë qeverinë e tij, të ardhur në pushtet pas largimit të mandatit të gjatë të Benjamin Netanyahu në qershor.

“Ne kemi një strukturë interesante por gjithsesi delikate në qeverinë tonë, dhe mendojmë se kjo mund ta destabilizojë atë, dhe mendojmë se as amerikanët nuk dëshirojnë që kjo të ndodhë”, tha Lapid.

Ai shtoi se përçarjet mes fraksioneve palestineze gjithashtu hedhin dyshime mbi mundësinë e diplomacisë. “Unë besoj te zgjidhja me dy shtete e konfliktit, por duhet të pranoj se në situatën aktuale kjo nuk është e mundur”, shtoi ai, përcjell The Guardian.

Lexo edhe

Video