Ismajli i kënaqur me kushtet në QKMF në Shtime: Do të vazhdojmë ta kemi prioritet shëndetësinë

Kryetari i komunës së Shtimes, Naim Ismajli ka vizituar sot Qendrën e Mjekësisë Familjare dhe atë të vaksinimit për të parë nga afër gjendjen aty dhe për t’u informuar lidhur me nevojat e mantel-bardhëve dhe të qytetarëve, ku tha se do të vazhdojë të ketë prioritet shëndetësinë.

I pari i Shtimes me këtë rast u prit nga personeli shëndetësor, i cili e informoi për gjendjen me pandeminë dhe situatën e përgjithshme, si dhe rastet që i trajtojnë.

Ai pa nga afër shërbimet që po u ofrohen qytetarëve të Shtimes, e të cilët i thanë se janë të kënaqur me shërbimet dhe kushtet që QKMF u ofron.

Pas vizitës në të gjitha njësitet e kësaj qendre, kryetari Ismajli tha se me qenë se është kohë pandemie, asnjë sferë tjetër nuk mund të jetë më me prioritet sesa shëndetësia.

“Unë sot pata rastin që të vizitoj punën e QKMF-së në afërsi, aty ku bëhen shërbimet dhe u njoftova nga stafi dhe nga drejtoresha që puna në QKMF po bëhet pandërprerë duke u nisur prej Emergjencës, pastaj shërbimet tjera, të cilat i ofron QKMF në katin e dytë, shërbimet e rëntgenit dhe të laboratorit, por edhe shërbimet e stomatologjisë. Dhe, nga gjithë kjo që pashë dhe u informova është se kushtet në QKMF janë të mira për t’i trajtuar pacientët dhe qytetarët tanë. Gjithashtu, janë të furnizuara mirë edhe me pajisje dhe me medikamente. Dhe, ishte edhe zotimi im se… të gjitha ato që do të jenë nevojë për QKMF-në, do t’i plotësojmë”, tha ai.

Krahas pajisjes me teknologjinë më moderne në shërbim të pacientëve, Ismajli tha se po aq të rëndësishme e ka pasur gjithmonë edhe furnizimin me barna, në mënyrë që qytetarëve të Shtimes t’iu ofrohen edhe terapitë e nevojshme.


Për këtë, gjatë vizitës në QKMF, Ismajli u ndal edhe te barnatorja, ku u informua për furnizimin me barna.

“U interesova shumë te pjesa e barnatores, se cili është furnizimi. Aty pashë se furnizimi nga buxheti i komunës është shumë i mirë, kanë terapinë e nevojshme të gjitha rastet emergjente. Dhe, ajo që është për t’u lëvduar në këtë QKMF, stafi i saj… është se po trajtojnë me shumë sukses edhe rastet me COVID dhe kanë edhe dhomat e veçanta ku ata trajtohen”, tha ai.

Ismajli u ndal për vizitë edhe në qendrën e vaksinimit, për çka tha se komuna e Shtimes është model në ofrimin e shërbimeve, si për nga tretmani, ashtu edhe për organizimin e hapësirave. Ai bëri të ditur se rreth 30 për qind e qytetarëve të Shtimes janë vaksinuar.

“Shkalla e vaksinimit në komunën tonë, nëse e marrim për dy dozat, është 30 për qind. Kapacitetet ekzistojnë në QKMF dhe në Qendrën e Vaksinimit, për aq sa do të ketë vaksina ne t’i përballojmë kërkesat e qytetarëve”, tha Ismajli.

Ai ka komentuar edhe deklaratat e kundërkandidatëve për kryetar të komunës, se QKMF nuk posedon kushte dhe si rrjedhojë mungojnë kapacitetet shërbyese.

“Unë mund të them që realitetin e shohin qytetarët çdo ditë, e përjetojnë dhe e prekin me shërbim direkt dhe shihet që asgjë nuk ka të bëjë me atë që deklarohen. Sot përdorin shumë fjalorë të ndryshëm të pamatur në fushatë e mbi të gjitha asnjëherë nuk mund të ketë mandat dikush i cili nuk jeton në Komunën e Shtimes, nuk e dinë si funksionon QKMF-ja që të nxjerr deklarimin e saktë se çfarë bëhet. Unë në këtë rast mund ta bëjë thjesht atë deklarimin tim publik se gjendja në QKMF me shërbime, me staf, me profesionalizëm, me organizim është në nivelin e duhur dhe në kërkesat e qytetarëve”, tha ai.

I pari i komunës bëri të ditur se QKMF në Shtime ofron 24 orë shërbime në shtëpi për pacientët e sëmurë rëndë e që janë në kushte të rënda.

Lexo edhe

Video