Ismaili premton krijimin e rripit të gjelbër në Prishtinë

Ismaili premton krijimin e rripit të gjelbër në Prishtinë

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili ka premtuar krijimin e rripit të gjelbër që ndërlidh hapësirat e gjelbra në kryeqytet.

Në një konferencë për medie, Ismaili tha se ky rrip i gjelbër do të nis nga parku “Adem Demaçi” te rrethi me flamur nëpër lagjet, Ulpiana, Muhaxherët, Taukbahqe, Taslixhe dhe Gërmi. E gjithë kjo sipas tij do të ndërlidhë hapësirat e gjelbra ekzistuese dhe do të ketë sistem modern të ujitjes.

“Prishtina e gjelbër është një shtyllë e programit tonë, andaj siç  thash para jush e paraqesim atë që e quajmë rripi i gjelbër që është një komponent brenda programit tonë të Prishtinës së gjelbër për të demonstruar se kur kemi vizion, dëshirë dhe vullnet arrijmë të bëjmë disa projekte që kanë qenë kërkesë e madhe e qytetarëve tonë, por nuk janë realizuar një kohë të gjatë. Ne do të parashohim krijim e rripit gjelbër në Prishtinë që ndërlidh lagjet me hapësirat ekzistuese të gjelbër, por edhe me ato hapësira që do të krijojmë. Nëpër to përveç drunjëve dhe hapësirave të gjelbra do të ketë edhe sistem modern të ujitjes. Dizajni i rripit të gjelbër fillon këtu, nga hapësira e Ulpianës, nga mahalla e muhaxherve, ndërlidhet me hapësirën e gjelbër te universiteti nëpër taukbahqe dhe kalon te Gërmia. Janë parqet ekzistuese që janë, shumë nga këto për momentin janë të ndara me nga 200-300 metra ndërmjet veti. Janë afër, por nuk janë të ndërlidhura, kjo bënë që shfrytëzimi i tyre të jetë më i vogël”, tha ai.

Ismaili u zotua se ky rrip i gjelbër do të përfundojë deri në dhjetor të vitit 2024.


“Ky rrip i gjelbër konsiderojmë se do të përfundojë deri në dhjetor të vitit 2024. Rripi i gjelbër përpos që do të lidh hapësirat e gjelbër ai do t’i jep Prishtinës që të ketë një orient dhe investim që Prishtina të jetë një hapësirë që nuk është vetëm për vetura”, shtoi Ismaili.

Pretendenti për kryetar të Prishtinës tha se trotuaret e lira dhe hapësirat për çiklist do të jenë qëllim i tyre në mandatin katër vjeçar në krye të komunës.

“Trotuaret e lira dhe të gjëra, shtigjet për çiklist, hapësirat për lëvizje më të lehtë, hapësirat për lëvizje të nënave me fëmijë, hapësirat për lëvizje të moshuarve tanë, këto nevoja janë qëllimi ynë për Prishtinën e gjelbër dhe atë që është e lirë në mobiliet”, shtoi ai.

Ai tha se krijimi i këtij rripi të gjelbër ka qenë kërkesë e qytetarëve nga takimet dhe të bujtmet e shumta që i ka pasur.

Lexo edhe

Video