Islami: Serbia po e tensionon situatën në veri, KFOR-i po mbron sovranitetin e vendit

Një ditë para takimit në Bruksel të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, forcat ushtarake të KFOR-it janë shtuar në pikën kufitare në Bërnjak dhe Jarinje, pika këto që lidhin Kosovën me Serbinë.  E shtimi i këtyre njësive për njohësin e sigurisë, Avni Islami tregon se KFOR-i është i interesuar ta mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

Sipas Avni Islamit  gjendja e sigurisë në veriun e Kosovës dita ditës po tensionohet dhe këtë po e bënë qeveria e Serbisë.

“Gjendja në veriun e Kosovës është duke u tensionuar dita ditës dhe këtë po e bënë qeveria e Serbisë në Beograd me vetë faktin se kohët e fundit janë intensifikuar takimet e kryeministrit dhe presidentes qoftë me përfaqësuesit e ShBA-së, të QUINT-it dhe tash së fundmi edhe me sekretarin e  përgjithshëm të Aleancës Veriatlantike, kjo tregon se vendosmëria e vendeve perëndimore të cilët  tashmë e kanë njohur shtetin e Kosovës janë të vendosur që ta ruajnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës bashkë me institucionet tona. Dhe me vetë faktin që në anën tjetër presidenti Vuçiq takohet me përfaqësues të Kinës dhe Rusisë, pra çështja e Kosovës nuk është më çështje e Kosovës dhe e Serbisë por është çështje e perëndimit dhe vendeve që e përkrahin Rusinë dhe ekspansionin rus. Në këtë rast Qeveria e Kosovës dhe vendet e perëndimit janë të vendosura  që edhe me rezolutën 1244 ta mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”, thotë ai.

Njohësi i sigurisë, Avni Islami në një intervistë për KosovaPress thotë se beson që në ditët në vijim do të ketë edhe më shumë shtim të forcave të KFOR-it në pjesën veriore të Kosovës.

“Pamë dje dhe sot shtimin e numrit të forcave të KFOR-it dhe patrullimet si dhe intensifikimin e tyre për mbulimin e veriut të Kosovës dhe kjo tregon se KFOR-i që është derivat i NATO-së ose përfaqësues i tyre janë të interesuar dhe të obliguara që ta mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe në raste të posaçme nëse institucionet e Kosovës dhe sigurisë së Kosovës nuk janë të gatshme që ta ruajnë rendin dhe ligjin brenda territorit të Kosovës atëherë KFOR-i është i detyruar që tu shkon në ndihmë që ta ruajnë rendin dhe qetësinë publike… Me vetë faktin se forcat e KFOR-it janë shtuar dhe mendoj që në ditët në vijim do të bëhet intensifikimi i veprimtarisë së tyre dhe shtimi i numrave qoftë të personelit, qoftë të logjistikës kjo tregon se në terren pra në veriun e Kosovës do të bëhet baraspeshimi i forcave dhe në rast eventual një rast të çmendur që do ta ndërmerrte Vuçiq forcat e KFOR-it do të jenë të gatshme bashkë me strukturat e sigurisë të Kosovës që të ruajnë rendin dhe qetësinë brenda territorit të Kosovës dhe tu përgjigjen sulmeve eventuale nga ana e shtetit serb”, u shpreh ai. 

E deri në implementimin masës së reciprocitetit me dokumente për hyrje-dalje dhe po ashtu vendimit për targa, që pritet të nis së zbatuari nga 1 shtatori, sipas Islamit  tensionet në veri do të jenë sporadike, por që assesi nuk do të kalojnë në një masë të konfliktit.

“Unë besoj që deri në implementimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës  do të ketë tensione sporadike, por mendoj se do të jenë brenda territorit të Kosovës, por jo deri në atë shkallë dhe në atë masë që mund të vije deri në një konflikt  brenda territorit të Kosovës”, deklaroi Islami.


Sa i përket takimit që sot po zhvillon ndarassekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg,  me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, eksperti i sigurisë thotë se kjo tregon përkushtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve perëndimore për të mos lejuar që Kosova të bëhet vatër e re e krizës.

“Kjo tregon përkushtimin e vendeve perëndimore vendeve që e mbrojnë shteti dhe demokracinë dhe ata  të cilët nuk lejojnë që të ketë edhe një vatër të re të krizës në Ballkan”, tha Islami.  

Njohësi i çështjeve të sigurisë në Kosovës, Avni Islami beson që Policia e Kosovës dhe organet e tjera të sigurisë në Kosovës kanë plan operativ dhe strategji të veçantë se si të veprohet në veriun e Kosovës.

Gjatë ditës së djeshme vetë KFOR-i ka bërë të ditur se kanë shtuar forcat, por edhe patrullimet në  pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.

Sipas KFOR-it këto masa janë marrë për të mundësuar të reagojë shpejt ndaj gjitha sfidave të sigurisë.

Nesër kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Bruksel do të takohet me presidentin serb. Aleksander Vucciq. /B.Ibishi/

Lexo edhe

Video