Ishin përgatitur për dasmë, familja në pritje të kufomës së Kujtimit që vdiq në Kroaci

Për pak ditë, familja Kastrati do të hapte dyert për gëzime. Bashkatdhetarë e familjarë që jetonin në Kosovë po bëheshin gati për dasmën e njërit nga meshkujt e familjes Kastrati. Djali tjetër, Kujtimi u mbyt mëngjesin e së dielës derisa po vinte në Kosovë. Ai është një nga  dhjetë personat që humbën jetën në qytetin Sllavonski Brod në Kroaci.

Kujtim Kastrati, i cili po punonte në Gjermani, la pas vetës dy fëmijë që po jetonin në Kosovë.

Familja Kastrati nga Malësia e Vogël e Rahovecit ka hapur dyert për ngushëllime qe dy ditë.

Axhi i tij, Sadiku e ka shumë të vështirë të flas për dhimbjen që po përjetojnë si familje. Ai rrëfen për KosovaPress se si morën lajmin për të mbyturit me autobusë në Kroaci.

“Kujtimin e kam djalë të vëllait. Kujtimi u përgatit për me ardh në Kosovë, për dasmë, ka pas me martu vëllaun me 6 gusht. Kujtimi ka dy kalamajë, një vajzë dhe një djalë. Çikën e ka në klasën e katërt, djalin e ka në foshnjore. Rasti ka ndodhur me 25 korrik, në orën 05:00 në mëngjes ka kontaktuar me familjen në Slloveni, deri në 05:30 kanë qenë në kontakt me familjen. Në orën 06:00, 06:30 ka humb kontakti”, thotë ai.


I moshuari, mezi rri ulën derisa flet për atë që ju ka ndodhur. Kështu përjetuan lajmin edhe mbrëmjen e së dielës, kur u njoftuan se në mesin e dhjetë të vdekurve është edhe Kujtimi.

“Kanë qenë këta të stafit të MPB-së;  bash me 25 në orën 10:00 në mbrëmje, na i kanë konfirmuar se ka vdekur djali”, thekson ai.

Sadiku po pret një lajm se kur do të vie trupi i Kujtimit, por që edhe për këtë janë në pritje.

“Me kuvendin kemi fol, na kanë thënë që do të vijnë pasdite ose në mbrëmje. Edhe ata i kanë rendet e veta, nesër me na i shpërndarë neve familjeve”, përfundon ai.

Në komunën e Rahovecit janë dy persona të cilët mbetën të vdekur mëngjesin e së dieles. Anjeza Bellanica dhe Kujtim Kastrati, ishin duke ardhur në Kosovë me autobusin e “Deva Tours”.

Kastrati ishte bashkë me dhëndrin, Ahmet Hoxha, i cili po ashtu ka vdekur.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: