Ish-presidenti Sejdiu: Sovraniteti dhe integriteti janë të shenjta dhe duhet të ruhen si të tilla

Ish-presidenti Sejdiu: Sovraniteti dhe integriteti janë të shenjta dhe duhet të ruhen si të tilla

Fatmir Sejdiu, i cili në kohën që u shpall Pavarësia e Kosovës ishte president, thotë se 17 Shkurti i 2008-ës do të mbetet përjetësisht si përmbyllje e përpjekjeve të pareshtura të popullit shqiptar për liri, pavarësi e demokraci.

Sejdiu në 14-vjetorin e shtetësisë së Kosovës shtet shprehet se sakrifica e popullit shqiptar për të bërë Kosovën jo vetëm të pavarur por edhe vend të jetueshëm e me dinjitet ishin të përhershme.

Tutje në shkrimin e tij në “Facebook” ai tha se “Sovraniteti dhe integriteti janë të shenjta dhe duhet të ruhen si të tilla”.

Postimi i plotë i Sejdiut:

Të dashur miq,

17 Shkurti i vitit 2008, do të mbetet përjetësisht si përmbyllje e përpjekjeve të parreshtura të popullit shqiptar për liri, pavarësi dhe demokraci.

Nuk ka asnjë dilemë se është akti për të cilin është bërë e është dhënë më së shumti brez pas brezi.

Kapërcimet e jashtëzakonshme të popullit tonë në rrugën drejt 17 shkurtit nuk kanë qenë të lehta, as lehtësisht të përballueshme, mirëpo të gjitha ato u kurorëzuan me 17 Shkurtin e vitit 2008.

Sakrificat e popullit shqiptar për të bërë Kosovën jo vetëm të pavarur, por edhe vend të jetueshëm e me dinjitet ishin të përhershme. Ato u ngjizën me secilin, e tek secili, dhe si të tilla i gjejmë përherë në rrethana të ndryshme dhe në forma të ndryshme.

 Liria dhe pavarësia ishin parakusht për dinjitetshmëri individuale e kolektive. Në këtë frymë veçojmë përpjekjet e veçanta që u bënë në kuadër të rezistencës paqësore, të cilat pa asnjë dilemë se u bënë bazament i shtetit të sotëm.


Përpjekjet paqësore që prijës patën Presidentin Dr. Ibrahim Rugova, i cili në të gjitha rrethanat ishte insistues dhe konsistent në trinomin liri, pavarësi, demokraci, që dhanë si rezultat 17 shkurtin e vitit 2008.

Mbajtja e jetës në rrethana të jashtëzakonshmes, ishte alternative e vetme për mundësimin e jetës në rrethana të zakonshme. U jetësuan projektet me peshë tejet të rëndësishme, të cilat mbajtën gjallë arsimin, shëndetësinë, mirëqenien dhe funksionalitetin politik, të cilat përveçse patën rol krucial në ruajtjen e jetesës dhe mbijetesës brenda kufijve, gjithashtu mundësuan edhe realizimin e projekteve më racionale në kuadër të shoqërive, lirisë dhe pavarësisë.

Përpjekjeve paqësore iu shtua edhe rezistenca e armatosur me në krye Adem Jasharin, i cili deri në dhënien e vetes sakrifikoi çdo gjë për liri.

Prandaj, sot më shumë se kurrë duhet të dimë ta ruajmë dhe ta zhvillojmë atë që nuk ishte e lehtë të arrihej. Sot, si asnjëherë më parë duhet ta jetësojmë amanetin e gjithë atyre brezave që flijuan veten, për ta bërë Kosovën shtet të pavarur e sovran.

Sovraniteti dhe integriteti janë të shenjta dhe duhet të ruhen si të tilla.

Në traditën tonë, asnjëherë nuk ka reshtur kultura e falënderimit dhe respektimit të miqve, të cilët na u gjendën në ditët më të vështira kur jo vetëm që po cenohej projekti jonë për liri, por edhe po rrezikohej vet qenia jonë.

Me një kulturë të tillë falënderimi, me përpjekje serioze të bërjes sa më të mirë të shtetit tonë, dhe pa pushim kërkohet që sot e përherë të angazhohemi të gjithë ta bëjmë Kosovën tonë vend të të gjithëve e për të gjithë, me mundësi të barabarta, me zhvillim ekonomik e me të ardhme të sigurt në familjen europiane.

Vetëm në këtë frymë do të realizohet në tërësi projekti  ynë dhe vetëm kështu duhet t’ua lëmë trashëgimi brezave që vijnë pas, sepse ky ishte amaneti i atyre që ishin para nesh.

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!

Zoti I bekoftë qytetarët e saj!

Lexo edhe

Video