Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu sot ka pranuar urime të shumta në 95 vjetorin e lindjes.
Një urim të veçantë ka bërë edhe presidenti aktual, Bajram Begaj. Ai ka shkruar në Facebook se bashkohet me familjarët, miqtë dhe dashamirësit e presidentit, për t'iu transmetuar urimet më të përzemërta për shëndet të plotë, jetë të gjatë dhe aktive.
Alfred Moisiu lindi më 1 dhjetor 1929, në qytetin e Shkodrës. Ai ka marrë pjesë në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Në vitet 1946-1948 kreu studimet në Shkollën e Inxhinierisë Ushtarake në Petersburg, Rusi, dhe u laureua në Akademinë e Inxhinierisë Ushtarake në Moskë me Medalje të Artë në vitet 1952-1958. Në vitet 1948-1949 ka qenë Komandant toge në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në Tiranë; Instruktor në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në vitet 1949-1951; ka punuar në Drejtorinë e Xhenios të Ministrisë së Mbrojtjes në vitet 1958-1966.
Në vitin 1995 kreu Kursin për Personalitete të Larta në Kolegjin Ushtarak të NATO-s, në Romë. Moisiu është autor i mjaft shkrimeve, artikujve dhe studimeve të botuara në shtypin shqiptar e të huaj, për problemet e artit ushtarak, të politikës së mbrojtjes, të sigurisë rajonale si dhe për zhvillimet në Kosovë. Alfred Moisiu mban titullin shkencor “Doktor i Shkencave Ushtarake”.
Alfred Moisiu më 24 qershor të vitit 2002 zgjidhet President i Republikës së Shqipërisë. Ish-Presidenti Alfred Moisiu i mbetur i ve pas ndarjes nga jeta të bashkëshortes ka trashëguar katër fëmijë, tri vajza dhe një djalë, i cili humbi jetën në një aksident tragjik gjatë mandatit të tij si President. Moisiu është njohës i tri gjuhëve, ruse, italiane dhe angleze.