Invazioni rus në Ukrainë, Osmani: Anëtarësimi në NATO të shihet nga prizmi i sigurisë

Pas invazionit rus në Ukrainë, presidentja Vjosa Osmani thotë se po insistojnë që anëtarësimi i shteteve të reja në NATO të shihet nga prizmi i sigurisë dhe jo vetë nga kriteret politike. Sa i përket anëtarësimit të Kosovës në NATO, Osmani tashmë i ka shkruar edhe presidentit amerikan, për çka ka theksuar se Kosova është vendi më pro-NATO.

E para e shtetit ka folur edhe për përgatitjet për aplikim në Këshillin e Evropës dhe për mbajtjen ose jo të zgjedhjeve serbe në Kosovë.

“Shkaku i zhvillimeve të fundit sidomos pas invazionit rus në Ukrainë dhe luftës që po ndodh atje ne po insistojmë që anëtarësimi në NATO i shteteve të reja të shikohet nga prizmi i sigurisë dhe jo vetëm nga prizmi i kritereve politike sepse sot prizmi i sigurisë është me i rëndësishëm nga të gjitha. Prandaj unë i kam shkruar edhe presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës rreth kësaj çështje dhe kam komunikuar edhe me shtetet e tjera duke pasur parasysh këto zhvillimet të fundit  duke pas parasysh që Kosova është shteti më pro-NATO në botë dhe që anëtarësimi i të gjitha shteteve të kësaj pjese të  Evropës më NATO do të nënkuptonte më shumë siguri, stabilitet dhe rrjedhimisht do të kishte më pak jo stabilitet në rajonin tonë. E kuptoj që vendimi final merret me unimanitet, por kjo nuk nënkupton që ne thjesht duhet të ulemi dhe të presim dhe mos të ndërmarrim asnjë hap drejt bindjes së atyre katër shteteve të NATO-s që nuk na kanë njohur, përkundrazi ne po punojmë shumë me këto katër shtetet që të mos ta bllokojnë anëtarësimin në NATO”, tha Osmani.

Sa i përket aplikimit për në Këshillin e Evropës, Osmani tha se është prioritet mbi prioritetet e për çka janë duke punuar me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës rreth kësaj. Këto komente Osmani i bëri në konferencën për Javën e Gruas të mërkurën.

“Tashmë unë mendoj që është momentumi. Që nga zgjedhja ime si presidente dhe si udhëheqëse e politikës së jashtme kam insistuar që Këshilli i Evropës të jetë prioritet mbi prioritet sa i përket organizatave ndërkombëtare. Jemi duke punuar shumë afër me Ministrit e Punëve të Jashtme e cila ka përgatitur strategjinë mënyra si shkon procedura qe fillimisht të dërgohet aplikacioni, kërkesa pastaj Këshilli i Evropës emëron të deleguar që të vijnë në Kosovë për ta vlerësuar plotësimin e kritereve në fushat e ndryshme”, tha ajo.


Sa i përket votimit të serbëve të Kosovës për zgjedhjet e 3 prillit në Serbi, Osmani tha se është e domosdoshme që të respektohet sovraniteti i Republikës së Kosovës dhe se ka insistuar që të respektohet parimi i reciprocitetit.

“Ne duhet ta bëjmë dallimi mes të drejtës së serbëve atyre që kanë dy shtetësi për të marr pjesë në zgjedhje dhe të drejtës së Serbisë për të organizuar zgjedhje në Kosovë. Këto janë dy çështje të ndryshme[…]Për ne si institucione të Kosovës është e domosdoshme që të respektohet sovraniteti i Republikës së Kosovës dhe kam insistuar të respektohet edhe parimi i reciprocitetit sepse çdo e drejtë që i njihet serbeve që jetojnë në Kosovë duhet t’iu njihet edhe shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc[…]këto janë parimet themelore që ne kemi propzouar vazhdimsihbt në cdo takim me shtetit t e QUINT-it”, tha Osmani.

Me këtë rast ajo ka theksuar edhe se Kosova ka dëshmuar se është shteti më pro-evropian, pro-amerikan dhe me pro-NATO dhe se presioni duhet të drejtohet në Beograd.

“Serbia po e dëshmon që qëndron me Rusinë dhe qëndron fuqishëm me Rusinë që nuk merr vendime që janë në përputhshmëri me vendimet e Bashkimit  Evropian sa i përket sanksioneve. Kurse në anën tjetër kemi Kosovën e cila jo vetëm i ka marrë për sanksionin përputhshmëri me vendimin e bashkimit evropian, por edhe atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke dëshmuar edhe njëherë që jemi shteti më pro-evropian më pro-amerikan dhe me pro-NATO unë mendoj që presioni duhet të drejtohet në Beograd… Duhet ta kuptojnë që këto çështje sipas komisionit të Venecias rregullohen me marrëveshje ndërshtetërorë po e përsëris ndërshtetërorë të dyja jemi shtete sovrane të pavarura”, u shpreh ajo.

Lidhur me atë se Qeveria e Kosovës ka marrë ndonjë vendim për mbajtjen ose jo të zgjedhjeve serbe në Kosovës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të martën tha se bashkërisht me ambasadorët e QUINT-it dhe BE-së që veprojnë në vend po mundohen që të gjejnë në zgjidhje. Por shtoi se çfarëdo zgjidhje që të vendoset nuk duhet të cenojë shtetësinë dhe kushtetutshmërinë e Kosovës.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.