Intervista e parë e Eriksen në fanellën e United: “Old Trafford” është vendi perfekt për të debutuar

Intervista e parë e Eriksen në fanellën e United: “Old Trafford” është vendi perfekt për të debutuar

Mesfushori i ri i Manchester United, Christian Eriksen është i emocionuar nga perspektiva për të debutuar me “Djajtë e Kuq” në stadiumin “Old Trafford”.

Gjatë intervistës së tij të parë me mediat e klubit, mesfushori zbuloi se si ndihej të luante në “Teatrin e Ëndrrave” si lojtar kundërshtar, dhe shpjegoi se si po e pret me padurim debutimin e tij të mundshëm me United, kundër Brightonit më 7 gusht.

Eriksen ka vizituar “Old Trafford” në të kaluarën me ish-klubet e tij, dhe ka marrë një pritje të ngrohtë nga turma kur luante me Brentfordin, në fund të sezonit të kaluar.

Eriksen thotë se të luash në stadiumin historik të United është shumë e veçantë, por beson se do të jetë një ndjenjë tjetër kur ai të jetë në formacionin startues të “Djajve të Kuq”.

“Ndeshjet në ‘Old Trafford’ kanë qenë gjithmonë shumë të mira. Ka pasur disa ndeshje shumë të vështira në mes, por gjithmonë kujtime të mira. Ka qenë gjithmonë shumë e veçantë të luash në ‘Old Trafford’. Në përgjithësi, duke luajtur kundër një klubi kaq të madh si Manchester United, gjithmonë ka diçka me të. Siç thashë, do të jetë e çuditshme të jesh në anën tjetër”, tha Eriksen.


30-vjeçari mund të bëjë debutimin e tij në Premier Ligë për ekipin kur United pret në shtëpi Brightonin muajin e ardhshëm.

Duke e analizuar ndeshjen kundër Brighton, Eriksen tha:

“Do të jetë shumë intensive dhe, shpresojmë, një mënyrë e mirë për të filluar karrierën time në United. Është vendi i përsosur për ta bërë atë, në ‘Old Trafford’”, tha Eriksen.

Më pas vjen një rikthim në stadiumin e Brentfordit, skuadër kjo tek e cila Eriksen e kaloi gjysmën e sezonit të kaluar, në ndeshjen parë si mysafirë të United për sezonin 2022/23.

“Do të jetë kënaqësi të shohësh tifozët në stadium. Atmosfera në stadium ishte shumë e bukur kur kam luajtur këtu më parë. Ishte një ndjenjë shumë, shumë e mirë dhe një atmosferë mbresëlënëse”, tha mesfushori danez.

Christian Eriksen mund të bëjë paraqitjen e tij të parë me United këtë fundjavë, në përballjen me Atletico Madrid në Oslo të shtunën, dhe Rayo Vallecano të nesërmen në “Old Trafford”.

Lexo edhe

Video