Sipas “La Gazzetta dello Sport”, Interi ka vënë syrin te sulmuesi i Royal Antwerp, George Ilenikhena, i cili tashmë po konsiderohet si "Osimhen i ardhshëm".
Sulmuesi i lindur në Nigeri, Ilenikhena, aktualisht nën kontratë me skuadrën belge, Royal Antwerp është një nga objektivat e Interit për sezonin e ardhshëm, raporton KosovaPress.
Ilenikhena ka lindur në Lagos të Nigerisë më 16 gusht 2006 dhe ka gjithashtu shtetësi franceze. Ai shënoi 14 gola në 45 paraqitje në të gjitha garat këtë sezon, duke përfshirë një kundër Barcelonës në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, dhe ai u bë golashënuesi i dytë më i ri në kompeticion pas Ansu Fatit.
Ilenikhena ka luajtur nën drejtimin e Mark Van Bommel këtë sezon, dhe trajneri holandez është ndër kandidatët për të zëvendësuar Stefano Piolin në Milano sezonin e ardhshëm, kështu që dyshja mund të ribashkohen në Derbin e ardhshëm të Madonninas në 2024/25.