Interi fiton derbin me Lazion, rikthehet në krye të tabelës

Interi fiton derbin me Lazion, rikthehet në krye të tabelës

Kampioni italian Inter ka shënuar sot fitore në derbin kundër Lazios, ndeshje kjo që ishte e vlefshme për xhiron e 21 të Serie A.

“Nerazzurët” e mposhtën Lazion me rezultat të ngushtë 2:1, përmes golave të dy mbrojtësve Alessandro Bastoni dhe Milan Skriniar, përcjell KosovaPress.

Fillimisht, ishte skuadra nikoqire ajo e cila e zhbllokoi rezultatin e para në këtë ndeshje, ku Bastoni shënon në minutën e 30’ për të kaluar Interin në epërsi prej 1:0.

Kundërpërgjigja e Lazios ishte e shpejtë, ku e barazon rezultatin në 1:1 në minutën e 35’ të ndeshjes përmes golit të shënuar nga sulmuesi Ciro Immobile.


Pjesën e dytë të ndeshjes e nisi më mirë kampioni italian, ku edhe e gjeti golin e fitores përmes mbrojtësit Milan Skriniar, i cili shënon për 2:1 në minutën e 67’ të ndeshjes.

Me pikët e reja, Interi rikthehet në pozitën e parë në tabelë, ku pas 20 ndeshjeve ka arkëtuar 49 pikë, një më shumë se rivali dhe vendi i dytë Milani, por që ky i fundit ka një ndeshje më shumë të zhvilluar.

Në anën tjetër, Lazio pas 20 ndeshjeve zë vendin e tetë në tabelë, me gjithsej 32 pikë të arkëtuara.

Rezultati final i ndeshjes është 2:1 në favor të Interit.

Lexo edhe

Video