Institucionet diskutojnë për mbrojtjen dhe të drejtat e fëmijëve

Aktet nënligjore të parapara në ligjin për mbrojtjen e fëmijës janë në proces të hartimit dhe harmonizimit në mes të gjitha institucioneve të përfshira, para se ato të dalin në dëgjim publik dhe për votim në Qeverinë e Kosovës, kanë deklaruar nga Zyra e Kryeministrit.

Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve është diskutuar sot nga deputetë, përfaqësues qeveritar e shoqëri civile, me qëllim të hartimit të akteve nënligjore të parapara në ligj.

Habit Hajredini, drejtor i zyrës për qeverisje të mirë, të drejtat e njeriut, mundësi të barabarta dhe jodiskriminim, pranë Zyrës së Kryeministrit, ka thënë se deri në vjeshtën e këtij viti kur pritet dëgjimi publik dhe miratimi në ekzekutiv, kjo zyrë bashkë me ministritë përkatëse, komunat dhe shoqërinë civile, do të harmonizojë aktet nënligjore në mënyrë që ato pastaj të gjejnë zbatim.

“Kemi pasur sfidë kur e kemi hartuar këtë, dhe kur ka ardhur në parlament, dhe që nuk ka pasur gatishmëri për të buxhetuar këtë ligj, ehe pse ka të bëjë me fëmijët, kjo është ajo që ne gjithmonë e kemi ngritë, në kuptimin profesional jo politik, prapë e ngris, kemi shumë sfida në resurse njerëzore, ne si trupë koordinuese në qeveri nuk kemi staf të mjaftueshëm por njëjtën kohë kërkohen shuma, kosto financiare dy nisma, ajo që ka të bëjë me linjën e telefonit, që vitin tjetër do të duhej ne si qeveri të nisim këtë proces, dhe ato shtëpi pilot projekt që ne parashohim në disa komuna, brenda aspektit ditor të strehohen fëmijët në këto qendra, që ne i kemi si pilot projekt në disa komuna, ato kërkojnë kosto financiare. Por është tepër me rëndësi që resurse njerëzore duhet të ketë”, ka thënë ai.

Ndërsa, koordinatorja për të drejtuat e njeriut, në Ministrinë e Arsimit, Merita Januzi ka thënë se kjo ministri është e ngarkuar të nxjerrë një akt nënligjor që ka të bëjë me edukimin për mbrojtjen e fëmijëve.


“Ne kemi pasur detyrim me nxjerr një akt nënligjor që është edukimi për mbrojtjen e fëmijëve. Ky akt nënligjor është në proces adreson konceptin e edukimit, shtrirjen e temës së edukimit ose ndërgjegjësimit për mbrojtje të fëmijëve brenda sektorit të arsimit. Dhe qellmi i këtij udhëzimi është që nëpërmjet sektorit të arsimit të ndërgjegjësohen dhe edukohen të gjithë ata që punojnë me fëmijët edhe në sektorë të ndryshëm”, ka thënë ajo.

Në takimin e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, lidhur me ecurinë e nxjerrjes së akteve nënligjore të parapara në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës, kryetarja Duda Balje kërkoi nga Ministria e Arsimit që të eliminohen pengesat në të cilat hasin fëmijët me nevoja të veçanta nëpër shkollat e Kosovës.

“Ata nuk kanë pasur mundësi me hy deri në klasë, mos me kompliku shumë, nuk kanë pas mundësi me hy në klasë, për shkak të barrierave, ën radhë të parë fizike”, ka thënë ajo.

Ndërkohë përfaqësuesja e Ministrisë së Arsimit, ka theksuar se shkollat e reja ofrojnë qasje për fëmijët me nevoja të veçanta, ndërsa ato që janë ndërtuar më herët janë modifikuar në mënyrë që kjo kategori të ketë qasje në shkolla.

“I kemi të dhënat brenda sektorit të arsimit se nga i kemi fëmijët më aftësi të kufizuar, sa janë brenda sistemit, por sa nuk janë regjistruar fare, janë zona të caktuara të mbulimit, nëse nuk ka raportim cilësor prej komunave ne nuk informatë shtesë”, ka thënë Januzi.

Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës ka hyrë në fuqi më 17 korrik të vitit 2020.

Lexo edhe

Video