Inflacioni në Eurozonë në nivel rekord – 8.6%

Inflacioni në Eurozonë në nivel rekord – 8.6%

Inflacioni në Eurozonë arriti një rekord të ri në qershor, pak përpara rritjes së parë të normave të interesit nga Banka Qendrore Evropiane (BQE) në 11 vjet.

Norma e inflacionit në zonën e monedhës së përbashkët ishte 8.6 për qind me bazë vjetore muajin e kaluar, krahasuar me 8.1 për qind në maj, sipas vlerësimit paraprak të sotëm të zyrës evropiane të statistikave, Eurostat.

Sipas të dhënave paraprake nga tabela e Eurostat, Estonia është në krye të listës së rekordmenëve për rritjen e inflacionit me një normë madje 22 për qind, e ndjekur nga Lituania me 20.5 për qind dhe Letonia me 19 për qind. Në fund renditen Malta me një normë rritjeje të vlerësuar të çmimeve të konsumit në qershor prej 6.1 për qind nga viti në vit, Franca 6.5 dhe Finlanda me 8.1 për qind.

Gjermania befasoi si ekspertët ashtu edhe publikun e gjerë këtë javë, duke raportuar se në qershor regjistroi një rënie të inflacionit vjetor me 0.5 pikë përqindjeje në 8.2 për qind krahasuar me majin.


Ekspertët thonë se ky është rezultat i subvencioneve të reja të qeverisë për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimit të energjisë tek familjet, por kjo nuk do të thotë se rritja e inflacionit në atë vend ka marrë fund.

Sipas të dhënave të Eurostat-it, norma e inflacionit nga viti në vit në Holandë gjithashtu ra me 0.3 pikë përqindjeje në krahasim me muajin e kaluar në 9.9 për qind, që është ende një nivel shumë i lartë.

BQE, e cila ka premtuar se do të përballet me rritjen e çmimeve, duhet të mblidhet në fund të korrikut dhe të marrë një vendim për shtrëngimin e kushteve të huamarrjes.

Banka qendrore e eurozonës ka njoftuar një tjetër rritje të normës për shtator, që do të thotë se normat e saj bazë të interesit mund të kthehen në territor pozitiv këtë vit. BQE ka pasur norma negative që nga viti 2014.

Lexo edhe

Video