Lajme   Biznes   Sport   Covid-19   Video   Kulturë   Magazina   Ngjarje

Infektologët kërkojnë shtrëngim të masave antiCovid, bizneset lehtësim

Infektologët kërkojnë shtrëngim të masave antiCovid, bizneset lehtësim

Derisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian po vazhdojnë të marrin masa shtrënguese ndaj koronavirusit, Kosova ka lehtësuar masat për parandalimin e përhapjes së sëmundjes së rrezikshme infektuese COVID-19.

Zbutja e masave nga ana e Qeverisë në detyrë, sipas infektologut Hamdi Ramadani rrezikon që numri i të infektuarve dhe atyre që humbin jetën nga koronavirusi të rritet për faktin që edhe tubimet elektorale nga partitë politike nuk po i zbatojnë masat antiCOVID.

Në anën tjetër, Rrjeti i shitësve me pakicë kërkon lehtësimin e masave për lejimin e punës deri në orën 23:00.

Ish-drejtori i Klinikës Infektive Hamdi Ramadani ka thënë për KosovaPress se rastet e shumta të vdekjeve dhe të infektuarve tregojnë se po vazhdojmë të përballemi me një situatë të rëndë në vend.

Ai apelon që këto masa të jenë shtrënguese ndaj koronavirusit, pasi siç thotë ai është një rrezik që shumë shpejt të shfaqet varianti ose forma e re e virusit më ngjitës COVID-19 sikur që është identifikuar në Britani të Madhe.

“Kështu që është një apel i imi që këto masa duhet të jenë shtrënguese, bazike antiCOVID. Ditëve të fundit po flitet për variantin më të rrezikshëm të virusit COVID-19 që po quhet një variant rezistent ose mjaft e rëndë siç e ka identifikuar Britania e Madhe, pastaj  SHBA. Në Afrikën e Jugut po ashtu ka dalë një variant. Edhe te ne në vendin tonë sigurisht që edhe kjo formë do të vërtetohet shumë shpejt edhe kjo formë e re të variantit të koronavirusit. Kështu që këto janë të gjitha parametrat që ne ende jemi në një situatë të rëndë. Kështu që masat përkundrazi duhet t’i shtrëngojmë, duhet të bëhen kufizime edhe më të mëdha. Edhe katër muajt e ardhshëm do të jenë shumë me rëndësi se si do të ecë situata në vendin tonë”, deklaron ai. 

Infektologu në pension kërkon nga Qeveria në detyrë të mos qëndrojë duarkryq në kohën e fushatës para zgjedhore dhe të mos lejohet grumbullimi në vendet publike më shumë se 8 persona.


“Këto shifra tregojnë për një situatë të brishtë, për një situatë të rëndë, për një situatë që nuk mund të paraqitet komoditet dhe të zbuten masat antiCovid. Masat kryesore, bazike, është zvogëlimi i grumbullimit të qytetarëve jo më shumë 8 banorë. Masa obligative ose detyruese është që maskat të vendosen duke mbyllur vrimën e hundës dhe gojën. Dhe së treti që të bëhet sa më shumë testimi i popullatës. Po ashtu, kishte me qenë shumë e rëndësishme në vendin tonë që të fillohen vaksinimi. Për fat të keq, ne ende nuk e dimë se kur do të fillojë, pasi që ajo është arma kryesore dhe arma vendimtare që do ta ndalë dhe ulë deri në total këtë pandemi e cila më të vërtetë ka shkaktuar probleme në botë dhe në vendin tonë më shumë të vdekur dhe të infektuar”, tha Ramadani.

Yllka Metaj, drejtoreshë e Rrjetit të Shitësve me Pakicë ka thënë për KosovaPress se vazhdojnë të kërkojnë lejimin e zgjatjes së orarit të punës deri në orën 23:00 sa është aktualisht 21:30.

Metaj thotë se kufizimi i lëvizjes për qytetarët dhe punëtorët po shkakton probleme në punën e bizneseve. Teksa thotë se humbjet janë të mëdha nga rënia e konsumit dhe qarkullimit të bizneseve mbi 1.2 miliard euro.

“Prej Vitit të Ri e tutje në prapë kemi vazhduar me kërkesa, të cilat i kemi adresuar kundrejt Qeverisë, por masat ende vazhdojnë me qenë problem, duke marrë parasysh orarin e lëvizjes së qytetarëve e që po ndikon në reduktim në numër të punëtorëve, ndryshim të orarit për ta. Pastaj, edhe konsumi  është më i vogël. Kërkesa jonë vazhdon me qenë e njëjtë për lejimin e punës të paktën deri në orën 22-23 dhe mos të mos pasur kufizime sipas qytetit. Marrë parasysh që Prishtina ka fuqinë më të madhe ekonomike. Prishtina është në zonën e kuqe që pa dyshim se po ka afekt mjaft të madh zinxhir”, tha Metaj.

Ai po ashtu ka thënë se ka pasur shumë dënime prej inspektorateve të ndryshme ndaj bizneseve, por në anën tjetër masat që nuk po zbatohen nga partitë politike në këtë fushatë nuk është e mirë kuptueshme nga ana e bizneseve. 

Edhe përfaqësuesi i Institutit Riinvest Muhamet Mustafa thotë se fushata nga partitë politike pritet ta rrisin numrin e të infektuarve nga pandemia. Mustafa tha për KosovaPress se masat ndoshta nuk do të duhej të rriteshin, por një vëmendje e shtuar dhe një zbatim i disiplinuar i masave nga qytetarët dhe partitë.

“Tash kemi një situatë bukur të ndërlikuar, sepse kontaktet që do të bëhen në fushatën zgjedhore, dhe zgjedhjet pritet që ta rrisin numrin, por Kosova duhet të jetë shumë e kujdesshme për arsye se mund të ketë pasoja në biznese, e pasojat në veprimtarinë bizneseve, në aktivitetin biznesor kanë qenë mjaft të mëdha, gjykuar sipas analizave që ne kemi bërë në kontakt me bizneset e rëndësishme në sektor të ndryshëm të industrisë së Kosovës. Masat ndoshta nuk do të duhej të rriteshin shumë, por një vëmendje e shtuar dhe një zbatim i disiplinuar i masave. Për arsye se kthimi tash në masa respektive ndoshta nuk do të ishte e preferuar për arsye se do të kishte ndikime shtesë negative në ekonomi. Partitë politike, ne jemi mësuar me partitë politike një e flasin, tjetrën e punojnë. Ato si duket tash janë në ethet e votave dhe e harrojnë atë që është me rëndësi që mund të ketë një ndikim negativ në ekonomi apo edhe në shëndetin e popullatës”, tha Mustafa. 

Brenda 24 orëve të fundit janë raportuar 6 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv dhe 392 raste me COVID-19. Ndërsa, numri total i rasteve pozitive është 58.088 raste dhe 1.456 raste të vdekjes.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: