Sipas një analize të BBC, Gianni Infantino mbush 10 vite në krye të FIFA-s, një dekadë e shënuar nga një rritje dramatike financiare, por edhe nga polemika të shumta.
Megjithëse ai e mori organizatën në një gjendje kolapsi pas menaxhimit të Blatter, sot FIFA parashikon të mbledhë rreth $13 miliardë falë zgjerimit të Botërorit dhe aktiviteteve të reja. "Unë do të punoj pa u lodhur për të rikthyer futbollin në FIFA dhe FIFA-n në futboll," kishte deklaruar Infantino në fillimet e tij, një premtim që sipas raportit është realizuar në aspektin monetar, pasi miliarda dollarë janë investuar në infrastrukturën e vendeve anëtare përmes projektit "FIFA Forward".
Ndërsa në Evropë ai përballet me pakënaqësi nga ligat dhe sindikatat e lojtarëve, pozicioni i tij mbetet i pathyeshëm për shkak të mbështetjes masive nga Azia dhe Afrika. Siç thekson artikulli i BBC, Infantino ka mbrojtur strategjinë e tij duke u shprehur se "pa FIFA-n nuk do të kishte futboll në 150 shtete", duke e përdorur fuqinë financiare si mjetin kryesor për të siguruar qëndrimin në pushtet ndoshta edhe përtej vitit 2027.
KosovaPress