Infantino: Diskutuam për një stadium që do ta bënte krenare Kosovën, Vokrrin e kisha person të zemrës

Presidenti i FIFA-së Gianni Infantino ka qëndruar sot për vizitë zyrtare në Kosovë ku ka takuar drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës si dhe krerët e shtetit.

Në fund të vizitës, i pari i FIFA-s foli para mediave duke e konsideruar Kosovën si një vend të veçantë, si një vend të futbollit.

Ai më pas zbuloi edhe se çfarë diskutoi me të të gjithë komunitetin sportiv në vend derisa zbuloi se do të punojë që futbolli në Kosovë të rritet edhe më shumë.

Tutje, Infantino, deklaroi se do të punojnë që në Kosovë të ndërtohet një stadium nacional me të cilin Kosova të krenohet.

“Pra, diskutuam me presidenten, kryeministrin, ministrin e sportit, kryetarin e komunës, dhe komunitetin e futbollit, sigurisht që po diskutonim dhe po flisnim se si mund ta çojmë futbollin në një nivel tjetër. Ky është një vend me një sukses të madh në futbollin e meshkujve dhe femrave, sepse tashmë ka disa lojtarë të mëdhenj që luajnë ndonjëherë për vende të tjera, sepse aty janë rritur, sepse kanë kombësi të dyfishtë, e kështu me radhë, por ne duhet ta bëjmë futbollin të rritet në Kosovë. Dhe kështu po flasim për futbollin në shkolla, për akademitë e futbollit, për fushat e futbollit, për një stadium kombëtar për këtë vend, një stadium që duhet të jetë një krenari për të gjithë vendin, që do të jetë simbol i një vendi që është i ri, por që është projektuar për të ardhmen.”, tha Infantino.


Ai më pas foli edhe për legjendën e futbollit të Koosvës, Fadil Vokrri të cilin tha se e kishte person të zemrës dhe që e ka vlerësuar shumë.

“Dëshiroj të kujtoj edhe një person që e kam njohur dhe e kam pasur shumë për zemër, është Fadil Vokrri, ai ka bërë shumë për vendin, për futbollin. Atë e kam takuar edhe para se të bëhesha president i FIFA-s, të cilin e kam vlerësuar shumë, dhe këtë mëngjes, gjëja e parë që bëmë ishte se shkuam në stadiumin e tij që ta kujtojmë atë.”, tha Infantino.

Nga ana tjetër, Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, tha se në takimin me të parin e FIFA-së janë diskutuar projektet të cila i ka kjo federatë për futbollin në Kosovë dhe se nga Infantino ka marrë miratimin se këto projekte do të mbështeten nga shtëpia më e madhe e futbollit në botë.

“Sot është një ditë speciale për Kosovën. Sigurisht për ne edhe më speciale për komunitetin e futbollit sepse ta kesh njeriu e parë të FIFA-së këtu do të thotë që nuk është e pakët dje normalisht që jemi të nderuar ne si federatë, si futboll, si Kosovë që e kemi njeriun e parë këtu sot. Ne diskutuam për futbollin, më së shumti për projektet, i ka parë projektet tona të cilat i kemi me FIFA-në dhe sigurisht se FIFA do të jetë në vazhdimësi ajo e cila do t’i përkrahë projektet e ardhshme të tjera të cilat i kemi.”, tha Ademi.

Gjatë ditës, Infantino është takuar edhe me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe Ministrin e Ministtrisë së Sportit, Rinisë dhe Kulturës, Hajrulla Çeku.

Lexo edhe

Video