Incidenti në Lagjen e Boshnjakëve, Elshani: Herën tjetër do të jemi edhe më të ashpër
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Foto Arkivë
2 javë më parë
Linku u kopjua
Pas ngjarjes së mbrëmshme në Lagjen e boshnjakëve në veri të Mitrovicës, ku dyshohet për ngjitjen e një stikersi mbi pllakën përkujtimore të dëshmorit Avni Hajredini, si dhe shpimin e gomave të disa automjeteve, është deklaruar zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Ai ka potencuar për KosovaPress, se nëse në të ardhmen përsëriten ngjarje të tilla, policia do të jetë edhe më e ashpër në reagimin e saj dhe nuk do të tolerojë asnjë veprim tjetër.
Sipas tij, katër persona janë intervistuar në lidhje me rastin, ndërsa një person është identifikuar si i dyshimtë për dëmtim kriminal apo shtytje në vepër penale.
Në anën tjetër, lideri i Iniciativës Qytetare Mbijetesa serbe, Aleksandar Arsenijeviq, njëherësh iniciator i stikersave të tilla, ka dënuar aktin e ngjitjes së stikersit mbi pllakën përkujtimore të dëshmorit Hajredini.
Ai theksoi se të gjitha përmendoret duhet të jenë të mbrojtura nga ana e vetë qytetarëve pa dallim, dhe kjo duhet të jetë porosia e qartë, e jo arsye për krijimin e tensioneve.
Ndryshe, persona të panjohur dyshohet se të enjten mbrëma kanë ngjitur një stikers mbi pllakën përkujtimore të dëshmorit Avni Hajredini në Lagjen e boshnjakëve. Nuk dihet çfarë përmbajtje ka pasur stikersi, pasi ai është hequr menjëherë nga dikush dhe kur policia ka arritur në vendin e ngjarjes nuk ka gjetur asgjë. Pas kësaj, rreth dhjetë persona shqiptarë në shenjë revolte janë mbledhur në këtë lagje, ndërsa policia ka evidentuar edhe shpimin e gomave në dy automjete me targa të Serbisë. Aty pastaj janë tubuar edhe banorët serbë, të cilët jetojnë në ndërtesat përreth, me ç'rast është dashur ndërhyrja e pjesëtarëve të policisë, të cilët kanë bindur të dyja palët që të shpërndahen.