Presidenca e Kosovës ka shprehur indinjatën për deklarimet e papranueshme të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut si dhe për propagandën që po zhvillohet kundër Kosovës në disa media të këtij vendi fqinj mbi incidentin e djeshëm ndaj presidentes Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit.
Në reagimin për media, Presidenca kërkon nga autoritetet zyrtare në Shkup që me urgjencë ta trajtojnë rastin dhe të merren masa përkatëse ndaj zyrtarëve që kanë bërë këtë sulm ndaj Kosovës.Presidenca thekson se presidentja Osmani me të drejtë ka refuzuar një gjë të tillë, bazuar edhe në këshillat që për vite me radhë i merr nga vet institucionet e sigurisë.
“Në fakt sot edhe Aeroporti i Shkupit, por edhe vet MPB e Maqedonisë pranuan se urdhri ishte dhënë nga MPB e Maqedonisë së Veriut për një kontroll të tillë, i cili bie ndesh në tërësi me rregullat e trajtimit të krerëve të shtetit sipas praktikave diplomatike”, thekson Presidenca.
Presidenca ka sqaruar edhe njëherë situatën duke thënë se sipas praktikës ndërkombëtare dhe Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, kur krerët e shtetit udhëtojnë, ata mbrohen me privilegje dhe imunitete diplomatike. Kjo është e ditur botërisht dhe deri më tani është respektuar nga çdo shtet ku ka udhëtuar presidentja, përfshirë edhe shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën. Pala maqedonase ka qenë paraprakisht e njoftuar zyrtarisht për udhëtimin e presidentes në përputhje me praktikat diplomatike, thekson Presidenca.
Për më tepër, Presidenca thotë se nuk është e vërtetë se presidentja Osmani nuk ka pranuar ta skanojë çantën e saj të dorës.
Presidenca e quan skandaloze të pretendohet nga kushdo qoftë se gjoja presidentja Osmani kishte diçka të dyshimtë në çantën e saj.
Osmani pengohet nga autoritetet maqedonase në aeroport, u tentua t’i merrej telefoni • KosovaPress
Po ashtu, në reagim thuhet se nuk është e vërtetë se kompania private apo koncesionarët e aeroportit të Shkupit janë mbi shtetin dhe mbi konventat ndërkombëtare të cilat përcaktojnë rregulla të qarta për trajtimin e kreut të shtetit.
Incidenti i Osmanit në aeroportin e Shkupit, MPJD: Kemi kërkuar sqarime • KosovaPress
“Një gjë e tillë është jashtë çdo praktike dhe bie ndesh me protokollet e sigurisë dhe praktikat ndërkombëtare, duke qenë se telefoni i Kreut të Shtetit dihet qartë se përdoret për komunikim zyrtar, përfshirë edhe për çështje të sigurisë. Në kundërshtim me këto standarde ishte edhe kontrolli i çantës së dorës së Presidentes, por ajo përkundër kësaj menjëherë e ka vendosur çantën në skaner.
Edhe pse Policia e Kosovës ia ka komunikuar paraprakisht zyrtarëve të aeroportit të Shkupit rregullat e aplikueshme në situata të tilla, ata kanë tentuar ta pengojnë fizikisht Presidenten, me ç’rast në përputhje të plotë me protokollet e sigurisë, ka reaguar profesionalisht Policia e Kosovës. Situata e djeshme në Aeroportin e Shkupit nuk mund të shpjegohet e as të vlerësohet ndryshe, përveçse si një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident”, thekson Presidenca.