Inaugurimi i “Shtëpisë së Futbollit” në Shqipëri, Infantino: Kjo infrastrukturë është spektakël

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) e ka inauguruar sot objektin e ri me emrin “Shtëpia e Futbollit”, projekt ky i cili ishte financuar nga FIFA dhe UEFA.

Prezent në këtë inaugurim ishin presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i pari i FSHF-së, Armand Duka dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Presidenti i FSHF-së, Duka, u shpreh tejet i kënaqur me ndërtimin e këtij objekti që do të jetë shtëpia e futbollit shqiptar, shtëpi kjo e cila do t’iu shërbejë 16,000 futbollistëve si djem ashtu edhe vajza nga e gjithë Shqipëria.

Duka tha se ky kompleks i ndërtuar përçon një mesazh tejet të rëndësishëm, që tregon se sa i rëndësishëm është futbolli, sporti dhe futbolli në veçanti.

“Para pak vitesh ishte eutopike të mendoje për një qendër të tillë, madje për dikë ishte një ëndërr luksoze e panevojshme, por unë kam besim dhe jam i bindur se sot gjithkush mendon se kemi bërë shumë mirë. Ky projekt, ky kompleks i ndërtuar këtu nuk është thjeshtë, padyshim që është i nevojshëm, i domosdoshëm dhe do të ndihmojë para së gjithash ndërtimin e futbollit, por nuk është thjeshtë një godinë, nuk është thjeshtë një fushë apo një palestër, është një mesazh i rëndësishëm se sa i rëndësishëm është futbolli, sporti në përgjithësi dhe futbolli në veçanti”, tha Duka.


Në anën tjetër, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino tha se kishte ardhur koha që të bashkohen forcat e Qeverisë, FIFA-s dhe UEFA-s që të krijohet kjo shtëpi e mrekullueshme e futbollit e cila do ta projektojë Shqipërinë dhe Federatën Shqiptare në një epokë të re.

“Pas 90 vitesh qysh prej kur Federata Shqiptare është anëtare e FIFA-s, kishte ardhur koha që së bashku me bashkëpunimin e të gjithëve, të qeverisë, të UEFA-s dhe të FIFA-s, së bashku si ekip futbolli ia dalim ta fitojmë këtë sfidë dhe të krijojmë këtë shtëpi të mrekullueshme të futbollit, e cila është shtëpi për të gjitha vajzat dhe djemtë që e duan futbollin që e duan këtë vend të shkëlqyeshëm siç është Shqipëria e që do të jap edhe më shumë burime edhe më shumë pasion të gjithë të rinjve dhe që projekton Federatën Shqiptare dhe Shqipërinë në një epokë të re”, tha Infantino.

Po ashtu, i pari i FIFA-s tregoi që Shqipërinë e kishte vizituar para 20 vitesh, por ajo çfarë e sheh sot nuk është 20 vite pas, por 2,000 vite drite pas.

 “Hera e parë që kam ardhur këtu ka qenë 20 vite më parë, në vitin 2002. Shkova asokohe të vizitoja stadiumin, punoja për UEFA-n në atë kohë dhe nisëm të mendonim se çfarë mund të bëhej. Por, ajo që shoh sot nuk është 20 vite më pas, është 2,000 vite drite pas. Kjo infrastrukturë është një spektakël, një spektakël që është i rëndësishëm jo vetëm për rajonin e Ballkanit, jo vetëm për Evropën por është gjithashtu i rëndësishëm në nivel botëror, sepse tregon se një vend si Shqipëria është mirëfilli e projektuar drejt së ardhmes drejt modernizmit”, tha Infantino.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka po ashtu tregoi se projekti “Shtëpia e Futbollit” nuk ka përfunduar ende, pasi që pritet edhe ndërtimi i hotelit në të cilin do të akomodohen futbollistët tanë si dhe futbollistët e ekipeve apo kombëtareve të tjera që janë në rolin e mysafirit.

Ndërkaq, Duka bëri të ditur se ky projekt ka kosto prej 10.5 milionë eurosh, nga të cilat 6.25 milionë euro janë subvencionuar nga FIFA, 2 milionë euro nga UEFA dhe 2 milionë euro nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Lexo edhe

Video