Imuniteti ndaj virusit ulet me kohën

Imuniteti ndaj virusit ulet me kohën

Shkencëtarët britanikë kanë zbuluar se jo të gjithë personat po i ruajnë antitrupat ndaj virusit SARS-CoV-2 që ka infektuar mbi 40 milionë njerëz në mbarë botën.

Një studim i Kolegjit Perandorak të Londrës tregon se niveli i imunitetit te britanikët gjatë stinës së verës pësoi rënie krahasuar me fazën menjëherë pas infektimit me kovid-19.

Ndërsa 6 përqind e popullatës së zakonshme shfaqnin antitrupa në fundin e qershorit, kjo vlerë zbriti në 4,4 përqind në muajin shtator, ndërsa mbeti thuajse e pandryshuar për punonjësit e shëndetësisë të cilët ekspozohen në mënyrë të vazhdueshme ndaj koronavirusit.

Rezultate të tilla janë vërtetuar në një studim të menjëhershëm edhe nga shkencëtarët gjermanë.

Një ditë më parë Britania e Madhe dhe Franca raportuan numrin më të lartë të vdekjeve ditore nga sëmundja e kovidit-19, 367 në shtetin anglez dhe 523 jetë të humbura në atë francez.


Në Francë, gati 60 përqind e shtretërve të përkujdesjes intensive janë zënë nga pacientët me koronavirus.

Presidenti Emanuel Makron pritet të shpallë masa edhe më strikte kundër pandemisë, sikurse në Gjermani ku kancelarja Angela Merkel do të njoftojë mbylljen me orar të disa aktiviteteve private.

Qeveria e Holandës tha se ka në plan ta izolojë vendin si në pranverë për shkak të infeksioneve të larta, edhe pse fqinjët belgë mbajnë rekordin europian me gati 1,400 raste për 100 mijë banorë.

Në Itali, ndërkaq, pas protestave të dhunshme në disa qytete, kryeministri Xhuzepe Konte informoi se është miratuar një paketë financiare, falje fiskale dhe skema lehtësuese provizore për bizneset që po preken nga vendimet e fundit për mbylljen e tyre para orarit të zakonshëm.

Të martën vala e koronavirusit goditi 22 mijë italianë të tjerë dhe u mori jetën 221 personave, duke shënuar rekorde të reja ditore njësoj si Greqia, Bosnjë-Hercegovina apo Serbia.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: