Imri Demelezi dorëzon në gjykatë padi për shpifje ndaj Sokol Halitit

Zëvendësministri i Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi, ka dorëzuar padi civile për shpifje ndaj kandidatit të LDK-së për kryetar të komunës së Vitisë, Sokol Haliti, pranë Gjykatës Themelore në Viti. Ndërkohë që ky i fundit po e konsideron tendencioz dhe të qëllimshëm një veprim të tillë të Demelezit.

“Mollë sherri” mes këtyre dy palëve është bërë një memorandumi bashkëpunimi i nënshkruar mes MBPZhR-së dhe komunës së Vitisë, Vushtrrisë dhe Pejës, për ujitjen e tokave bujqësore.

Zëvendësministri Demelezi para mediave tha se Haliti për qëllime elektorale po synon të dëmtojë figura të caktuara të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të qeverisë.

“Kjo konferencë për media është ftuar nga ana dhe ka për qëllim demantimin e shpifjeve në vazhdimësi të bëra nga kandidati për kryetar të Vitisë, z. Sokol Haliti, të cilin unë po e quaj recidivist, përsëritës të veprave të ulëta. I lartcekuri nga frika e humbjes së zgjedhjeve lokale, nga e cila nuk mundet të shpëtojë, nga humbja e tash as nga Gjykata, brenda këtyre muajve të fundit, ka shpifur qëllimshëm ndaj meje, duke tentuar njollosjen time, por jo vetëm, dhe njëkohësisht duke tentuar ta mashtrojë votuesin e komunës tonë me shpifje dhe tentim degradim të figurës time… Këto metoda nuk janë vetëm të tij, por janë bërë edhe të subjektit të tij. I ftoj të gjithë qytetarët që kanë dëgjuar kudo qoftë për këtë shpifje ndaj meje të më shkruajnë për këtë”, tha ai, derisa shtoi se pret vendim meritor nga gjykata.


Demelezi tha se nuk konteston nënshkrimin e asaj marrëveshjeje, derisa kritika pati për përmbajtjen e saj.

“S’kanë zotuar mjete, thjesht është për sy e faqe në kohë elektorale, tri ditë para zgjedhjeve, për t’i mashtruar qytetarët e Vitisë. Jo rastësisht aty kanë qenë tre kryetarë të LDK-së të komunave të ndryshme, ministri i atëhershëm i LDK-së, thjesht për qëllime elektorale për t’i mashtruar njerëzit. Në atë marrëveshje mirëkuptimi ka shumë gabime, edhe ligjore edhe profesionale, non-sens. Thjesht premton të ndërtojë një sistem të ujitjes me një fshat pa e siguruar ujin”, shtoi ai.

Ndërkaq kryetari aktual i Vitisë, Sokol Haliti tha se krejt kjo është tendencioze dhe ka për qëllim dëmtimin e tij dy ditë para zgjedhjeve lokale për raund të dytë.

Derisa shtoi se Lëvizja Vetëvendosje duhet të distancohet nga veprimet e zëvendësministrit Demelezi. Ai tha se memorandumi është obligativ dhe se i njëjti është dashur të implementohet brenda këtij viti fiskal, e jo mjetet të shkojnë në suficit.

“Këto orkestrime dhe këto lëshime nuk i bëjnë nder askujt, sidomos qeverisë qendrore nëse është e implikuar në këtë aspekt. Përndryshe, implikimi i zëvendësministrit dy dite para zgjedhjeve, vërtet është tendencë… Edhe qytetarët e Vitisë e kanë parë që këto kanë qenë të orkestruara nga një “çorbë” e një lloj njerëzve. Unë mendoj që Lëvizja Vetëvendosje dhe anëtarësia e saj nuk do t’i pranojë këto “çorba”, sepse e dinë mirë çfarë orkestrime po bëjnë këta njerëz. Unë do të rri i qetë, do të jem me qytetarët dhe ekipin tim shumë respektabile dhe profesionale në shërbim, pa asnjë hezitim”, tha ai.

Lexo edhe

Video