Imri Ahmeti debaton online me qytetarët lipjanas

Imri Ahmeti debaton online me qytetarët lipjanas

Në pamundësi të debatit fizik me qytetarët për shkak të pandemisë me COVID-19, kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka zgjedhur rrjetin social Facebook, për të debatuar dhe kthyer përgjigje qytetarëve lipjanas.

Kreu komunal tha se asfaltimi i rrugëve është primar për Lipjanin. Qytetari Leotrim Veseli, kërkoi përgjigje për rrugët e pa asfaltuara, në fshatin Mirenë, ku për këto të fundit, Ahmeti theksoi se do të përfundohen shumë shpejtë.

“Janë në proces, e di që në Mirenë rrugët janë të pa përfunduara, por do të përfundojnë shpejtë”, deklaroi ai.

Qytetari tjetër, Burim Gashi, ishte i interesuar të di nga kryetari për investimet në shkollën e Janvevës.

E për këtë pyetje, kryetari i Lipjanit tha se ato investime tashmë kanë përfunduar.


“Burim Gashit i kërkoj të shkoj ta shohë, nuk paska qenë moti në shkollë, investimet kanë përfunduar këto ditë në këtë shkollë”, tha ai.

Ndërsa, në pyetjen e qytetare Fitore B., për ndërtimin e trotuarit në Vrellë, ai tha se kompetencat për atë rrugë i bartë Ministria dhe jo Komuna.

“Edhe Vrella e di që ka nevojë, në këtë vit jemi në projekt të ndriçimit dhe të asfaltimit atje, trotuaret nuk janë. Keni parasysh që rruga që është përmes fshatit Vrellë, nuk është e komunës është e Ministrisë dhe nuk e kemi të lehtë për të filluar ndërtimin në atë rrugë, për shkak të kompetencës që nuk është e komunës. Nuk është vetëm Vrella e Magurës, por çdo fshat kërkon trotuar dhe ndriçim, andaj ne duhet të shkojmë me rend”, tha ai.

Kurse, në pyetjen e Betim Berishës për bursat komunale, kryetari Ahmeti bëri të ditur se brenda javës studentët do të kenë mundësi të aplikojnë.

 

Lexo edhe

Video