IKSHPK: Situata epidemiologjike mund të përkeqësohet, qytetarët të vaksinohen

IKSHPK: Situata epidemiologjike mund të përkeqësohet, qytetarët të vaksinohen

IKSHPK ka bërë thirrje sot për vaksinim të qytetarëve në kohën kur omicron po shton intensitetin çdo ditë dhe është varianti dominues i koronavirusit në qarkullim.

Në një postim në Facebook, IKSHPK ka shkruar se situata epidemiologjike mund të përkeqësohet edhe më shumë ditët në vazhdim, andaj apelon qytetarët që të respektojnë masat antiCOVID-19.


“Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, bëjmë thirrje në veçanti për kujdes dhe mos grumbullim. Ndërsa, rekomandojmë institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë”, thekson IKSHPK.

Për më tepër, IKSHPK thotë se është i domosdoshëm kujdesi i shtuar i të gjithëve që në mënyrë strikte të respektohet distanca fizike, të përdoren maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e hapësirave, duke pamundësuar dhe shmangur përhapjen eventuale të mëtejme të infeksionit të COVID-19.

“Omicron është tejet ngjitës, andaj mbani maskat në çdo vend, mbani distancën mbi dy metra edhe në mjedise të hapura edhe po qe se të gjithë bartin maska! Duke qenë se vaksinimi është mënyra më e mirë dhe më e sigurt për të parandaluar COVID-19, veçanërisht format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet, ne vazhdojmë të apelojmë fuqishëm për vaksinim sa më gjithëpërfshirës, sa më të gjerë dhe sa më të shpejtë të popullatës nga mosha 12-vjeç”, përfundon komunikata.

Lexo edhe

Video