IKShPK del me rezultatet e para të mostrave të ujit në Han të Elezit, jep rekomandimet

IKShPK del me rezultatet e para të mostrave të ujit në Han të Elezit, jep rekomandimet

IKShPK ka njoftuar se rezultatet e analizes fiziko – kimike të mostrave të ujit janë brenda standardeve të lejuara për ujin e pijes, derisa ka bërë të ditur se priten rezultatet e analizave biologjike dhe të pacientëve.

Instituti ka rekomanduar që komuna rezervuarin kryesor të ia dorëzojë kompanisë rajonale “Bifurkacioni” për menaxhim.

Po ashtu, në njoftimin e IKShPK-së, thuhet se analizat bakteriologjike janë duke u punuar, kurse mostrat e fecesit nga pacientët me simptome janë duke u punuar në laboratorin e Mikrobiologjisë në IKSHPK.

Më poshtë njoftimi i plotë i IKShPK-së:

Me datë 12.07.2022 ekipi i IKSHPK- s, së bashku me ekipet e QRSHP-ve, të Gjilanit dhe Ferizajt (në përbërje nga Dr. Burbuqe Nushi, Dr. Albiona Rashiti-Bytyçi, Dr. Fitim Raçi, Dr. Ajhane Sejfiu, Dr. Tanusha Kallaba dhe Dr. Hidajete Halimi) vizituan AMF në fshatin Gorancë dhe QMF në Han të Elezit.

• Sipas raportimit të Drejtoreshës për Shëndetësi komunale dhe ekipit shëndetësor në AMF – Gorancë, rastet e para, rreth 80 pacientë të regjistruar në QKMF të Hanit të Elezit, me ankesa dhe shenja klinike: mundim, vjellje, barkëqitje, dhembje barku, në disa raste edhe temperaturë, janë lajmëruar me datën 09.07.2022.

• Brenda 24 orëve të fundit kanë kërkuar ndihmë 122 persona me shenja të helmimit, të gjithë janë nga fshati Gorancë, kurse numri total deri me datë 12.07. 2022 ka arritur në 240 persona. Në të njëjtën kohë u plotësuan 6 anketa epidemiologjike. Simptomat të cilat kanë dominuar janë: ethe, barkqitje, mundim, vjellje. Të gjithë pacientët janë trajtuar në mënyrë ambulantore.

• Fshati Gorancë furnizohet nga dy burime:

➢ Burimi i parë i ndërtuar shumë vite më parë “Burimi i Turkut”, me kapacitet 6-7L/sec, ka kaptazhe dhe me rënie të lirë uji përcjellet deri në rezervuarin kryesorë.

➢ Burimi i dytë i ndërtuar në vitin 2002 në bashkëfinancim me CDF dhe komunitetin e fshatit, në vendin e quajtur Sudenec, ka kapacitet 2-3 L/sec, ka kaptazhe uji me sistem të pompimit (pompat punojnë 1orë dhe 2 orë pushojnë, deri sa të mbushet rezervuari) uji përcjellet në rezervuarin kryesor.

• Në teren janë marrë 3 mostra të ujit për analiza fiziko kimike dhe bakteriologjike në vendet:


➢ Sudenec, në rezervuarin me madhësi 3m/4m me thellësi 3 m.

➢ Rezervuari “Burimi i Turkut”

➢ Në AMF Gorancë, ujë i cili vije nga rezervuari kryesor.

• Nga pacientët të cilët i anketuam poashtu morëm dhe 6 mostra të fecesit për analiza laboratorike mikrobiologjike (testimi me Molditof) në IKSHPK.

• Poashtu ekipi i IKSHPK-ës së bashku me zv.ministrin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik Mentor Arifaj dhe kryeshefin e KRU ”Bifurkacioni” Jeton Shabani u takuan me nënkryetarin e komunës Sevdi Dernjani dhe drejtoreshën e Departamentit të Shëndetësisë. Në takim u diskutuan modalitetet për tejkalimin e kësaj gjendjeje.

Rezultatet:

• Nga mostrat e ujit të marra kemi këto rezultate:

➢ Rezultatet e analizës fiziko – kimike të këtyre mostrave janë brenda standardeve të lejuara për ujin e pijes.

➢ Analizat bakteriologjike janë duke u punuar.

• Mostrat e fecesit nga pacientët me simptome janë duke u punuar në laboratorin e Mikrobiologjisë në IKSHPK.

Përfundimet:

  1. Nga rezervuari kryesor – ku përzihet uji nga këto dy burime, uji me rënie të lirë futet në rrjetin shpërndarës të fshatit. Në asnjë pozicion nuk ka sistem të klorizimit, uji nuk dezinfektohet.
  • Të ekspozuar janë rreth 2300 banorë, prej të cilëve 240 (attack rate 10.43%) banorë kanë kërkuar trajtim ambulantorik, nuk ka të hospitalizuar. Nuk ka pasur asnjë rast të vdekjes.

Rekomandimet:

  1. Raportimi i menjëhershëm i rasteve të dyshimta në helmim, sipas legjislacionit në fuqi, ligji “Parandalimi dhe luftimi i sëmundjeve ngjitëse në Kosovë” (LNR: 02/L-109).
  • Të vazhdohet me informim të qytetarëve për vlimin e ujit i cili përdoret për pije dhe përgatitje të ushqimit ose te shfrytëzohen resurset tjera që kanë ujë të sigurt.
  • Te instalohet klorinatori në rezervuarin kryesor.
  • Të përcillet cilësia e ujit, të vazhdohet me mostrim për analiza laboratorike-bakteriologjike dhe vlera e Cl rezidual.
  • Marrja e të gjitha masave për njoftim dhe vetëdijësim të qytetarëve për situatën e krijuar.
  • Si rekomandim kryesor: Komuna pas përfundimit të instalimit të sistemit të klorizimit, vendosjen e orëmatësve dhe sanimit të rezervuarit kryesor të ia dorëzojë KRU “Bifurkacioni“ në menaxhim.

Lexo edhe

Video