IKD: Prokurori i Shtetit nuk ka pasur rol proaktiv në luftimin e korrupsionit në fushën e prokurimit publik

IKD: Prokurori i Shtetit nuk ka pasur rol proaktiv në luftimin e korrupsionit në fushën e prokurimit publik

Sistemi i drejtësisë nuk po trajton me seriozitet parandalimin dhe luftimin e korrupsionit në fushën e prokurimit publik. Madje, Prokurori i Shtetit nuk ka ngritur asnjë aktakuzë me vetiniciativë dhe nuk ka bashkëpunuar me institucione të tjera. As këto të fundit, përveç Policisë së Kosovës nuk kanë paraqitur denoncim për korrupsion në prokurim publik.

Kështu thuhet në raportin e Institutit të Kosovës për Drejtësi të publikuar të shtunën me temën “Ndjekja dhe gjykimi i korrupsionit në prokurimin publik”.

Hulumtuesi i lartë në IKD, Gzim Shala tha se ka pasur një pasivitet sa i përket luftës së korrupsionit në fushën e prokurimit publik. Ky pasivitet, sipas tij, është shfaqur edhe në sistemin gjyqësor.

“Prokurori i Shtetit gjatë kësaj periudhe kohore nuk ka pasur një rol proaktiv në luftimin e korrupsionit në fushën e prokurimit publik dhe kjo vërtetohet edhe nga faktet se gjatë gjithë kësaj periudhe nuk e kemi asnjë rast i cili është iniciuar nga ana e Prokurorit të Shtetit me vet-iniciativë mbi bazën e gjetjeve. Përballë mungesës së vetiniciativës së prokurorëve të shtetit për të ngritur raste të kësaj natyre, IKD ka gjetur edhe mos-bashkëpunim të Prokurorit të Shtetit me institucione të tjera. Kjo shihet për faktin se në vitin 2020, përjashtimisht Policisë së Kosovës, asnjë institucion tjetër nuk ka deponuar në Prokurorinë e Shtetit ndonjë kallëzim penal për keqpërdorim në fushën e prokurimit publik”, ka thënë ai.

Megjithatë, Republika e Kosovës ka ndërtuar shumë mekanizma që merren me trajtimin e rasteve të korrupsionit. Por, ani pse secili institucion është autoritet kontraktues dhe se mund të denoncojë keqpërdorime, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.


“Në vitin 2020 ka qenë vetëm një denoncim, ka pasur edhe në vitin 2021 një numër pak më të lartë. Mirëpo, definitivisht jo të mjaftueshëm. Një problematikë tjetër është injorimi që Prokurori i Shtetit u ka bërë raporteve të Zyrës Kombëtare të Auditimit, përkundër faktit që raportet e ZKA-së kanë paraqitur një varg shkeljesh që kanë të bëjnë me prokurimin publik, asnjë prej tyre nuk është trajtuar nga Prokurori i Shtetit. Nuk është ngritur asnjë aktakuzë mbi bazën e këtyre gjetjeve”, ka shtuar ai.

Më tej, në këtë raport përmendet edhe investimi në profesionalizmin e prokurorëve dhe gjyqtarëve për të trajtuar këto raste. IKD ka gjetur se deri më tani sistemi gjyqësor dhe prokurorial nuk kanë arritur që të trajnojnë gjithë prokurorët dhe gjyqtarët në fushën e korrupsionit në prokurimin publik.


Më tej, Shala theksoi se në sistemin prokurorial nuk ka të angazhuar mjaftueshëm ekspertë në fushën e korrupsionit dhe prokurimit publike.


“Sistemi prokurorial i ka vetëm gjashtë ekspertë në këtë fushë dhe të gjithë janë të angazhuar në Prokurorinë Speciale dhe nuk janë të angazhuar edhe në prokuroritë tjera themelore të cilat trajtojnë rastet e korrupsionit në fushën e prokurimit publik. Mungesa e profesionalizmit në trajtimin e korrupsionit në fushën e prokurimit publik është jashtëzakonisht problematike për shkak se profesionalizmi në këtë rast është një aspekt i pakalueshëm që prokurorët ta kryejnë punën e vet si duhet dhe që aktakuzat e tyre të kenë sukses në gjykatë”, ka shtuar ai.

Hulumtuesi Mirvet Thaçi ka folur edhe për mungesën e rezultateve konkrete nga ana e sistemit të drejtësisë tek fusha e konfiskimit të pasurisë.

Sipas tij, ky sistem nuk është i vëmendshëm sa i përket domosdoshmërisë së luftimit dhe parandalimit të keqpërdorimeve në fushën e prokurimit publik.  

“Gjatë vitit 2020 në asnjërën prej këtyre nuk kemi kërkesa për sekuestrim apo konfiskim përfundimtar të pasurisë të përfituar në mënyrë të kundërligjshme. Derisa te aktakuzat e ushtruara gjatë vitit 2021 është bërë vetëm një kërkesë e tillë dhe është propozuar konfiskimi i një veture në pronësi të të pandehurit. Një gjetje të tillë e ka konstatuar IKD vazhdimisht tek rastet e korrupsionit, mirëpo kjo problematikë po bartet edhe te rastet e keqpërdorimit në fushën e prokurimit publik”, ka thënë Thaçi.

Ai theksoi se Ligji për Kompetencat e Zgjeruara në Konfiskimin e Pasurisë së përfituar në mënyrë të kundërligjshme ka gjetur zbatim në vetëm një rast.

Në këtë raport thuhet se nuk janë respektuar as afatet ligjore në trajtimin e këtyre rasteve. Gjatë vitit të kaluar në katër rastet e përfshira në këtë hulumtim nuk është caktuar asnjë seancë gjyqësore.

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka rekomanduar që Prokurori i Shtetit të ketë rol proaktiv në hetimin e rasteve në Prokurimin Publik duke iniciuar raste me vetiniciativë.

Lexo edhe

Video