Lajme   Biznes   Sport   Covid-19   Video   Kulturë   Magazina   Ngjarje

IKD: Ligji për Ndërmjetësim nuk po zbatohet, sistemi i drejtësisë cenon të drejtat e palëve

IKD: Ligji për Ndërmjetësim nuk po zbatohet, sistemi i drejtësisë cenon të drejtat e palëve

Vetëm 1608 lëndë ishin referuar për procedurë të ndërmjetësimit gjatë vitit të kaluar nga Prokurori i Shtetit. Ligji për Ndërmjetësim edhe pas tri vjetësh nuk po gjen zbatim. Për më tepër, janë identifikuar edhe 11 raste penale kur gjyqtarët nuk i kanë informuar palët e tyre që rastin e përshtatshëm për ndërmjetësim ta zgjidhin përmes kësaj procedure. Instituti i Kosovës për drejtësi ka kërkuar ngritje të vetëdijes së qytetarëve për mundësitë dhe benefitet që ofron zgjidhja e lëndës përmes ndërmjetësimit.

Kështu u tha në publikimin e raportit “Sfidat e ndërmjetësimit në Kosovë” nga Instituti i Kosovës për Drejtësi me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan-Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështje të Zbatimit të Ligjit dhe NED-it.  

Gzime Hashani nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, theksoi se ka pasur rënie të rasteve gjatë vitit të kaluar, ku Këshilli Prokurorial ka referuar rastet për ndërmjetësim. Sipas saj, sistemi i drejtësisë përpos që po cenon të drejtat e palëve, gjykatësit dhe prokurorët ngarkojnë veten me lëndë të cilat potencialisht mund të zgjidhen në procedurë të ndërmjetësimit.

“IKD ka gjetur se në vitin 2017 dhe në vitin 2018, nga ana e gjykatës shumë pak raste janë në procedurë të ndërmjetësimit, ndërsa ka ngritje të theksuar në vitin 2019 dhe një regres në vitin 2020. IDK ka gjetur se në vitin 2017, të gjitha prokuroritë e Kosovës kanë referuar ndërmjetësim 682 raste. Ndërsa, në vitin 2018 ky numër ishte rritur në 904. Ky numër është rritur dukshëm gjatë vitit 2019, ku prokuroritë kishin referuar në ndërmjetësim gjithsej 2034 lëndë. Ndërsa, gjatë vitit 2020 kur edhe puna e prokurorit të shtetit ishte influencuar nga gjendja e krijuar me pandeminë COVID-19, prokurori i shtetit kishte referuar në ndërmjetësim  vetëm 1608 lëndë”, ka theksuar ajo.

Për më tepër, ajo tha se IKD konsideron që ka mungesë të vetëdijes së qytetarëve për mundësitë që ofron Ligji për Ndërmjetësim dhe zgjidhja e lëndëve përmes kësaj procedure.


“Ka mungesë të vetëdijes së qytetarëve mbi mundësitë që ofron ndërmjetësimi. Kjo pasi që numrit të vogël të referuar në procedurë të ndërmjetësimit, i kontribuon edhe informimi i palëve nga ana e gjyqtarëve, për mundësitë që rastin e tyre të zgjidhen përmes procedurës së ndërmjetësimit. Siç është thënë edhe deri më tani, zgjidhja e rasteve gjyqësore penale dhe civile dhe administrative përmes procedurës së ndërmjetësimit ka favore shumëdimensionale”,
ka shtuar ajo.

Hulumtuesja e IKD-së, Hajrije Vitia ka përmendur edhe ndërmjetësimin e detyrueshëm, për çka tha se nuk ka gjetur zbatim nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.  



“Gjykata Themelore në Prishtinë gjatë vitit 2020 ka referuar në ndërmjetësim të detyrueshëm gjithsej vetëm 52 lëndë. Ajo e Ferizajt 21, e Pejës 17, e Prizrenit 13, Gjakova nëntë raste, ndërsa me raste më të vogla janë Gjykata Themelore në Mitrovicë me vetëm katër raste dhe ajo e Gjilanit me vetëm dy raste. Me këto të dhëna, IKD ka gjetur se ndërmjetësimi i detyrueshëm nuk ka arritur të gjej zbatimin në praktikë, ashtu siç kërkohet me ligj. Pasi që numri i rasteve të referuara përmes ndërmjetësimit të detyrueshëm është shumë i ulët”,
ka shtuar ajo.

Ndërkohë, që sa i përket referimit të rasteve të ndërmjetësimit nga gjykata kundër obligueshmërisë së gjyqtarëve, IKD gjatë monitorimit të sistemit gjyqtarë ka gjetur se kjo dispozitë nuk zbatohet në secilin rast.

“Gjyqtarët nuk i kanë informuar palët e tyre që rastin e përshtatshëm për ndërmjetësim ta zgjidhin përmes kësaj procedure. Në këtë drejtim, IKD gjatë monitorimit sistematik të sistemit të drejtësisë, ka evidentuar të paktën 11 raste penale, në të cilat gjyqtarët nuk kanë referuar rastet në ndërmjetësim. Duke vepruar në këtë mënyrë, gjyqtarët e kanë ngarkuar vetëm e tyre me lëndë, në të cilat vullneti i palëve nuk kanë mundur të referohen në procedurat e ndërmjetësimit”, ka theksuar ajo.

Përfaqësuesja nga Oda e Ndërmjetësuesve, Adelina Sopi, tha se raporti i hartuar nga IKD reflekton plotësisht gjendjen aktuale të procesit të ndërmjetësimit dhe sfidave aktuale të cilat po e përcjellin këtë proces tash e sa vite.

“Si Odë e Ndërmjetësuesve të Kosovës jemi themeluar sipas ligjit, por kemi shumë vonesa në funksionalizim për shkak të ndryshimit me qeveri që kanë ndodhur, por edhe situatës  me pandemi e cila ka ndikuar në krijimin e një strukture, e cila do funksiononte dhe  do ndihmonte në procesin e ndërmjetësimit. Kemi pasur vonesë sidomos në nënshkrimin e akteve nënligjore nga MD që ka bërë një të pamundur që Oda të merrte vendime të cilat do të ndihmonin avancimin e ndërmjetësuesve në Kosovë. Kemi marrë shumë veprime të vogla, por që është një nismë e mirë”, deklaroi Sopi.

Sopi tha se kjo procedurë po sfidohet edhe nga parregullsitë teknike, ku siç u shpreh ajo, personat përgjegjës për organizimin e seancave të ndërmjetësimit nuk janë mjaft të përgatitur.

Në anën tjetër, gjykatësi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Dren Rogova, deklaroi se raporti i publikuar nga IKD është mjaft kritik, sidomos ndaj gjyqësorit. Ai tha se me ndërmjetësimin e detyrueshëm është hedh një barrë e madhe mbi gjyqësorin, që nuk do të duhej ta kishte.

Yll Zekaj nga IKD i ka rekomanduar Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial që të marrin veprime konkrete në drejtim të ngritjes së zbatimit të ndërmjetësimit të Kosovës dhe të gjitha raportet që dalin nga kjo procedurë, të publikohen në faqet zyrtare të gjykatave dhe prokurorive.

Lexo edhe

Video

error: