Identifikohet i dyshuari për vrasjen e oficerit të krimeve në Lezhë

Identifikohet i dyshuari për vrasjen e oficerit të krimeve në Lezhë

Policia e Shqipërisë ka identifikuar autorin e dyshuar për vrasje të efektivit të Krimeve në Policinë e Lezhës, ngjarje e ndodhur paraditen e së martës në Ishull Lezhë.

Policia shqiptare ka njoftuar se bëhet fjalë për një 21-vjeçar, të identifikuar si Aldo Rama, i cili ishte i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta, i cili është larguar me automjet nga vendngjarja.

Autori i dyshuar i vrasjes së efektivit Saimir Hoxha nuk është arrestuar ende. Në vendin e ngjarjes, kanë shkuar forcat RENEA, ato të Ndërhyrjes së Shpejtë.


Efektivi i mbetur i vrarë në krye të detyrës ishte duke ushtruar kontroll në zonë, pasi dyshonte që brenda lagunës Kune-Vain, kultivohej lëndë narkotike.

Për kapjen e tij, Policia e Shtetit ka kërkuar ndihmën e qytetarëve.

“Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet intensive me pika kontrolli të lëvizshme, kontrolle në banesa, lokale e ambiente të ndryshme, si dhe po vijon krehja masive e territorit, për të bërë të mundur kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes së oficerit të Policisë, i cili ishte duke kryer detyrën. Krahas punës intensive për kapjen e autorit, Policia e Shtetit kërkon ndihmën dhe bashkëpunimin e qytetarëve, për të bërë të mundur lokalizimin dhe kapjen e tij. Për çdo informacion të vlefshëm që do çojë në lokalizmin dhe kapjen e autorit, shtetasit Aldi Rama, 21 vjeç, Policia e Shtetit  ka vënë në dispozicion 20 mijë euro, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe të sigurt. Për informacione të vlefshme, qytetarët të telefonojnë në numrin 0694110853”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit në Shqipëri.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.