Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me vrasjen e trefishtë që ndodhi mbrëmjen e së premtes në Gllogjan të Deçanit, ku të vdekur mbetën dy nxënës-maturantë dhe shoferi i autobusit.
Policia e tregon se autobusi që ishte në qarkullim nga Gjakova për në Gllogjan ku ishin tetë pasagjerë, ishte sulmuar me armë zjarri që dyshohet të jetë AK-47.
I dyshuari i këtij akti kriminal gjendet ende në arrati. Megjithëkëtë në vend të ngjarjes janë njësitet relevante të cilët punojnë në zbardhjen e rastit tragjik.
“Fsh. Gllogjan, Deçan 26.11.2021-18:58. Është raportuar se një autobus derisa ishte duke bartur udhëtarë (nxënës) është sulmuar me armë zjarri (dyshohet të jetë AK-47) nga një i dyshuar i panjohur. Në këtë rast lëndime vdekje-prurës ka pësuar drejtuesi i autobusit, viktima mashkull kosovar, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Ndërsa tri viktima, dy meshkuj dhe një femër (nxënës) janë dërguar në Spitalin Rajonal Pejë, dy prej tyre kanë ndërruar jetë (një mashkull dhe një femër ) ndërsa viktima tjetër është duke u trajtuar në spital. Njësitet relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes. I dyshuari gjendet në arrati, rasti në procedurë hetimore”, ka njoftuar Policia e Kosovës në njoftimin 24 orësh.