Hyseni u bën thirrje qytetarëve që të votojnë: Anamorava ka treguar një kulturë të lartë zgjedhore

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për të parin e Gjilanit, Alban Hyseni ka thënë se është me rëndësi që gjatë ditës së sotme dalja për votim të jetë masive.

Ai i shoqëruar me bashkëshorten e tij ka votuar në shkollën “Abaz Ajeti” me numër 0401/D.  Hyseni u ka bërë thirrje gjilanasve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës.

“Është ende mëngjes dhe kam shfrytëzuar të drejtën dhe kohën të ushtrojë të drejtën kushtetuese dhe ligjore të votojë. Në këtë rast bëjë apel tek të gjitha qytetarët e Gjilanit që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese në mënyrë që të jenë pjesë e procesit të votimit për të ndikuar, ndryshuar apo shprehur mendimin dhe bindjen e tyre politike”, tha ai.


Sipas tij, mëngjesin e sotëm nuk janë evidentuar parregullsi gjatë procesit zgjedhor.

“Deri më tani sa kam unë informacione nuk ka ndonjë parregullsi. Në të njëjtën kohë besoj që është vërejtur e sidomos viteve të fundit që Gjilani, në përgjithësi Anamorava ka treguar një kulturë të lartë zgjedhore politike që po dëshmohet edhe në këtë proces zgjedhor”, ka shtuar Hyseni.

Në Gjilan garohet mes Alban Hysenit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lutfi Hazirit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Të drejtë vote kanë mbi 100 mijë qytetarë në 34 qendra votimi.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.