Humolli i VV-së: Brenda partisë mendojnë se gjithçka është Albini

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, në mbledhjen e Komisionit për Çështje të Sigurisë pati kritika për opozitën dhe për të tijtë në lidhje me menaxhimin e situatës në Deçan ku një numër i madh i personave po kërkojnë trajtim mjekësor për shkak të helmimit.

Humolli tha se ashtu sikurse në VV që mendojnë se gjithçka është Albini, edhe opozita mendon se pa Albinin nuk ka qeveri e që sipas tij, kjo mendësi është e gabuar ku në këtë komision u kritikua pse kryeministri nuk e ka ndërprerë vizitën në Greqi.

“Brenda Vetëvendosjes mendojnë se gjithçka është Albini. Pa Albinin s’ka kurrgjë hiç. Më vjen keq por edhe opozita po thotë që qeveri pa Albinin s’ka. Ne duhet të mësojmë të respektojmë institucionet. Duhet të funksionojmë institucioni si institucion dhe mos të atakojmë shumë individin qysh ka një tendencë që gjithçka me ataku një individ. Secili ka detyra. Mundet me qenë sëmurë, mundet të ketë telashe ndonjë individ, mundet me qenë p[presidenti, kryeministri, ministri i Mbrojtjes, por funksionon sistemi”, tha ai.


Humolli kritikoi edhe Ministrinë e Shëndetësisë që ka planifikuar të dërgojë mostra për analizë jashtë vendit, duke thënë se në vend se të blihen vetura të blihen aparaturat në mënyrë që këto analiza të bëhen në Kosovë.

“Pse ne të mos ndërtojmë infrastrukturën për të bërë analizë këtu? Kur ka mundësi blerjeje me dhjetëra – dhjetëra vetura të shtrenjta pse na të mos blejmë teknologjinë që ne t’i bëjmë analizat këtu dhe më tutje për ekspertizë t’i çojmë edhe në ndonjë shtet tjetër. Fatkeqësia duhet me na hap sytë. Institucioni nuk e ka për detyrë fatkeqësia me ia hap sytë. Institucioni duhet t’i parashikojë fatkeqësinë dhe të marrim masa paraprake që të mos ndodhin ato”, vazhdoi ai.

Humolli gjithashtu kërkoi më shumë bashkëpunim me Shqipërisë duke thënë se ka ekspertë të nivelit ndërkombëtar të cilët mund t’i dalin në ndihmë Kosovës për rastin e Deçanit.

“Bashkëpunimi me shtetin shqiptar nuk është në nivel. Shteti shqiptar ka ekspertë toksologjisë të rangut ndërkombëtar e botëror dhe prape qeveritarët tanë shkojnë i besojnë një institucioni që bën vaki nuk mund t’i kontrollojë. Pse të mos thërrasim ekspertët e Shqipërisë?”, pyeti ai.

Lexo edhe

Video