Hulumtimi izraelit: Doza e tretë Pfizer rrit ndjeshëm mbrojtjen ndaj COVID-19

Hulumtimi izraelit: Doza e tretë Pfizer rrit ndjeshëm mbrojtjen ndaj COVID-19

Doza e tretë e vaksinës Pfizer përmirëson ndjeshëm mbrojtjen kundër infeksionit koronavirus dhe sëmundjeve serioze te personat mbi 60-vjeç në krahasim me ata që morën dy doza, njoftoi sot Ministria e Shëndetësisë së Izraelit.

Gjetjet e studimit përkojnë me statistikat e lëshuara javën e kaluar nga Maccabi, një nga disa organizata izraelite që siguron doza përforcuese që synojnë frenimin e përhapjes së variantit delta të virusit.

Duke paraqitur statistikat nga Instituti Gertner dhe KI, zyrtarët e ministrisë thanë se në mesin e personave mbi 60-vjeç, mbrojtja kundër infeksionit 10 ditë pas marrjes së dozës së tretë të vaksinës ishte katër herë më e lartë se pas dy dozave.

Doza e tretë e vaksinës siguroi mbrojtje pesë deri në gjashtë herë më të madhe dhjetë ditë pas vaksinimit kur ishte fjala për sëmundje të rënda dhe shtrimin në spital. Kjo grup-moshë është veçanërisht e prekshme nga COVID-19 dhe është e para që vaksinohet në Izrael.


Shumica e të vaksinuarve që u sëmurën rëndë javët e fundit ishin mbi 60-vjeç dhe kishin probleme të mëparshme shëndetësore. Izraeli filloi të japë një dozë të tretë për personat mbi 60-vjeç më 30 korrik.

Të enjten, Izraeli uli kufirin e moshës për dozën e tretë në 40-vjeç, përfshirë gratë shtatzëna, mësuesit dhe profesionistët e shëndetit nën moshën 40-vjeç. Doza e tretë u jepet vetëm atyre që e morën të dytën të paktën pesë muaj më parë.

SHBA ka njoftuar se planifikon të ofrojë një dozë të tretë të vaksinës për të gjithë qytetarët pasi mbrojtja nga vaksinimi bie me kalimin e kohës.

Kanadaja, Franca dhe Gjermania do të bëjnë të njëjtën gjë. Izraeli aktualisht ka një nga nivelet më të larta të infeksionit për frymë në botë për shkak të përhapjes së variantit delta.

Gati 1.5 milion njerëz nga një popullsi e përgjithshme prej 9.3 milionë morën dozën e tretë.

Lexo edhe

Video