Hoxhaj për liturgjinë në kishën serbe në Prishtinë: U kërcënua karakteri i shtetit

Hoxhaj për liturgjinë në kishën serbe në Prishtinë: U kërcënua karakteri i shtetit

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka reaguar ndaj mbajtjes së liturgjisë në kishën ortodokse në Prishtinë, duke e quajtur si liturgji politike e cila për qëllim ka vetëm shtrembërimin e historisë, të vërtetës dhe arsyetimin e një regjimi gjenocidial si ai i Millosheviqit.

Përmes një statusi në Facebook, Hoxhaj përgjegjëse për këtë liturgji e bën edhe Qeverinë Kurti, për të cilën thotë se lejoi të kërcënohet karakteri i shtetit të Kosovës, duke hapur tema të reja në dialogun me Serbinë që do të konfirmohen në takimin e 15 qershorit mes Kurtit dhe Vuçiqit.


Ky është statusi i tij i plotë:

Liturgjia e Kishës Ortodokse Serbe në qendër të Prishtinës u bë sot me lejen dhe dijeninë e plotë të qeverisë së Kosovës. Kurrë nuk mund të sigurohej ardhja e ipeshkvit Teodosije dhe pelegrinëve serbë pa lejen, ofrimin e sigurisë dhe mbështetjes politike nga Qeveria. Prandaj, sot, fatkeqësisht u kërcënua karakteri i shtetit të Kosovës dhe u hapën tema të reja në dialogun me Serbinë që do të konfirmohen në takimin e 15 qershorit mes Kurtit dhe Vuçiqit.  Kjo liturgji më së paku është fetare. Gjithçka rreth saj është politike, që për qëllim ka vetëm shtrembërimin e historisë, të vërtetës dhe arsyetimin e një regjimi gjenocidial si ai i Millosheviqit. Gërmadha e ngritur dhe e papërfunduar në kohën e okupimit, duhej të trajtohej si e tillë – një projekt tjetërsimi shovenist ndaj shqiptarëve që u ndal dhe nuk përfundoi asnjëherë. Por jo, 22 vite pas luftës, kur plagët e dhimbjes nga lufta janë ende të hapura, të organizohet me lejen e plotë të qeverisë Kurti, një liturgji që është thellësisht politike, është e dhimbshme dhe e papranueshme.

Lexo edhe

Video

3 Comments

Komentet janë të mbyllura.

error: