Hoxhaj: PDK ka nevojë të reflektojë, të reformohet dhe të modernizohet më tutje

Ish-udhëheqësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se me thirrjen e konventës së insistuar nga vet ai, ka synuar që gjenerata e re ta marrë drejtimin e partisë. Ai ka theksuar se tetë muaj sa ka udhëhequr këtë parti nuk kanë qenë të lehta dhe se u kanë borxh anëtarëve të ri që PDK të rikthehet në vend të parë.

Ai në fillimin e konventës zgjedhore ka kujtuar Hashim Thaçin e Kadri Veselin, të cilët tash e sa muaj po mbahen në Hagë.

“E kam marrë udhëheqjen e përkohshme të PDK-së në një situatë të vështirë sa për vendin, edhe për vet PDK-në. Ende nuk më largohet nga mendja shikimi i Kadriut më 5 nëntor të vitit të kaluar kur më tha: ‘Dost, duhet me i pri partisë. Ky është vendimi final’. Nuk mund t’i harroj as fjalët e Hashimit kur shkuam së bashku me Hajredinin për t’u përshëndetur dhe na tha: Po më vjen keq që po ju lëmë kështu…! Besoj që sot ju kemi borxh të dyve, por edhe anëtarëve të PDK-së dhe gjithë elektoratit që na ka mbështetur këto vite që ta rikthejmë PDK-në në vendin e parë”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, Partia Demokratike e Kosovës nuk është themeluar në zyre të ngrohta e kafene moderne.

“Ka lind nga lufta e shenjtë e UÇK-së, një parti e cila ka lind nga burgjet e ftohta dhe të errëta të Serbisë. Ne nuk jemi parti e cila është krijuar në zyre të nxehta apo në kafene moderne. Po më vjen shumë mirë që po shoh themeluesit e partisë, të cilët tashmë më në moshë, por asnjëherë nuk janë dorëzuar dhe kanë besimin e njëjtë dhe të madh në PDK. Po shoh edhe shumë të rinj dhe të reja, të cilët e shohin PDK-në jo vetëm si një parti në të kaluarën në histori, por si një parti që e ka vizionin për një Kosovë më të mirë”, ka deklaruar Hoxhaj.

Para delegatëve të PDK-së, ai theksoi se e di që shumë prej tyre janë zhgënjyer me vendimin e tij për të mos kandiduar për kryetar të partisë, por sipas tij, synimi i tij ka qenë që gjenerata e re të marrë drejtimin e partisë.


Enver Hoxhaj tha se beson që ish-krerët e UÇK-së do të kthehen faqebardhë.

“Jam i bindur që kryetari Kadri Veseli dhe presidenti Hashim Thaçi do të kthehen fitimtarë faqebardhë pasi që lufta jonë ka qenë e drejtë, e pastër dhe që ka pasur mbështetjen e gjithë botës demokratike.  Ata do t’i kthehen familjeve të tyre, ata do t’i kthehen edhe familjes tonë demokratike,  PDK-së. Sikurse kthehen heronjtë në legjendat e moçme. Ne miqtë dhe bashkëpunëtorët e tyre që kemi rrugëtuar gjatë së bashku, në fazat më jetike dhe më kritike për vendin, jemi shumë krenarë me ta me të arriturat e tyre dhe me sjelljen prej burrështetasi. Ata kurrë nuk e vendosën interesin personal apo partiak, para interesit interesat e Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Më tej, Hoxhaj ka thënë se nuk kanë qenë të ndikuar nga ambiciet personale dhe interesat e ngushta partiake

“Jemi mbledhur në këtë Konventë me qëllime të matshme, konkrete dhe të arritshme sepse PDK-ja ka nevojë të reflektoj, të reformohet dhe të modernizohet më tutje. Ne kemi qenë çdo herë në reforma edhe duke qeverisur. Çdo herë kemi ditur që ta gjejmë rrugën përpara, ti mobilizojmë kapacitetet më të mira, ta zgjojmë një vullnet të ri dhe të ripërtërihemi me njerëz të ri. Por që të ndodhë sërish kjo – neve na duhet një koncept i ri politik dhe organizativ. Kjo mund të arrihet përmes një hapje përmbajtjesore dhe kadrovike të PDK-së që do ti reflektonte edhe ndryshimet në politikë, shoqëri dhe ekonomi. Nga kjo konventë presim që ta forcojmë edhe më shumë identitetin tonë si parti shtet-formuese, por edhe si parti e djathtë. Të dalim me qëndrime të qarta dhe të shpejta për ta mbrojtur demokracinë, lirinë, ekonominë e tregut dhe lirinë e shprehjes”, ka deklaruar ai.

Ish-udhëheqësi i PDK-së, Enver Hoxhaj tha se për shkak të problemeve që ka vendi, si opozitë do të jenë bashkë që t’i shërbejnë një fronti të përbashkët opozitar kundër populizmit dhe mashtrimit.

“Kjo konventë të shërbej për një pozicionim të ri të partisë sonë. Për një PDK të re që do të përballet me sfidat e një qeverie autokratike dhe pa përvojë. Një Qeverie që nuk ka asnjë prioritet, dhe as një objektiv. Një qeveri që erdhi duke magjepsur shumë qytetarë me populizma e premtime të rrejshme për ndryshime radikale. Por mjerisht në këto 100 ditë, vendi ka rrëshqitur në një iluzion të thellë, dhe po kërcënohet nga një izolim me jashtë dhe degradimit nga brenda. Është në kufijtë e prishjes me miqtë tanë të përhershëm sikurse Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sot qytetarët po presin me ankth nga PDK-ja. Prandaj, t’iu tregojmë edhe njëherë se jemi parti e shpresës, besimit dhe optimizmit, por edhe e vendimeve të mëdha dhe ndryshimit”, ka përfunduar Hoxhaj.

Ai ka përmendur edhe zgjedhjet lokale, për të cilat tha se PDK ka njerëzit më të mirë në komunat e Kosovës. Kështu, sipas tij do të tregohet para qytetarëve modeli me i mirë i qeverisjes.

Lexo edhe

Video

error: