Hoxhaj mohon se ka pranuar ndonjë telefonatë nga Thaçi e Veseli për Konventën Zgjedhore

Hoxhaj mohon se ka pranuar ndonjë telefonatë nga Thaçi e Veseli për Konventën Zgjedhore

Ish-udhëheqësi i PDK-së, Enver Hoxhaj ka deklaruar se brenda partisë nuk ka gardë të re ose të vjetër, por anëtarë që janë bashkuar për një vizion. Më tej, ai ka mohuar ndikimin e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit në këtë konventë zgjedhore. Sipas Hoxhajt, tash e sa javë nuk ka folur me asnjërin dhe se të njëjtit nuk marrin vendime për Partinë Demokratike e Kosovës.

Ai para mediave ka thënë se gjatë këtyre tetë muajve sa ka udhëhequr me PDK-në, nuk ka qenë i varur nga ndonjë telefonatë nga Haga.

“Së pari, unë nuk kam folur për shumë javë me zotëri Veselin dhe zotëri Thaçin dhe e di që për ju është nganjëherë e paimagjinueshme atë që e themi çdo ditë në intervista, zotëri Thaçi dhe zotëri Veseli të cilët na mungojnë dhe mbahen në Hagë të cilët do të kthehen si heronjtë përsëri në Kosovë, nuk marrin vendime të cilat janë vendime të PDK-së. Kjo është temë e mbyllur, unë nuk mund të ju ndalojë juve që të pyetni përsëri javën e ardhshme… Në çdo vendimmarrje që kam marrë në këta tetë muajt e fundit, ka qenë vendimmarrje e imja si ushtrues detyre i kryetarit të PDK-së dhe nuk është varur nga ndonjë telefonatë në Hagë”, ka deklaruar ai.

Derisa është pyetur se sa e dëmton garën mungesa e kundër kandidatëve për kryetar të partisë, Hoxhaj edhe një herë ka përsëritur se nuk i ka ikur garës.

“E para mendoj që nuk e ke përvojën dhe informatat se si ndodhë zgjedhja e kryetari të një partie politike. PDK si çdo parti politike është organizatë parti politike, mënyra se si zgjidhet kryetari, a ka garë apo nuk garë ju takon anëtarëve, delegatëve. Unë çfarë mund të them me përgjegjësinë më të madhe është se nuk i kam ikur garës, nuk i kam ikur betejës dhe nuk i iku asnjëherë betejës. Por unë vetëdijshëm kam bërë përpjekje që ta përgatis PDK-në që një gjeneratë e re e politikanëve ta merr udhëheqjen e PDK-së”, ka shtuar ai.


Më tej, gjatë mbajtjes së konventës zgjedhore, ai ka përmendur se qëllimi i konventës është për ta rikthyer PDK-në në parti nacionale në vend, dhe beson që rikthimi do të bëhet edhe në komuna.

“Unë jam i sigurt se prej Mitrovicës e deri në Prizren, në shumë komuna të tjera të Kosovës, PDK-ja do të kthehet në shumë komuna në zgjedhjet lokale. Dhe përtej asaj që kemi shumë kandidatë të mirë për kryetar komune, ju e dini që qeverisje e PDK-së në nivel komunal është qeverisja më e suksesshme”, u zotua ai.

Hoxhaj mes tjerash deklaroi se brenda PDK-së nuk ka gardë të re ose të vjetër.

“Nuk ka gardë të vjetër dhe nuk ka gardë të re. Ka anëtarë të PDK-së të cilët i bashkohen një vizioni. Unë i jam bashkuar PDK-së në më 1 korrik të vitit 2009 dhe Memli po ashtu ka ardhur në kohën e njëjtë. Dhe ky është shembulli më i mirë për të kuptuar ju që ata të cilët vijnë në PDK e kanë mundësinë që të avancohen që të bëjnë karrierë, që të ndryshojnë PDK-në dhe Kosovën. Dhe unë mendoj që zotëri Krasniqi dhe unë jemi shembull shumë i mirë”, ka përfunduar Hoxhaj.

Ish-udhëheqësi i PDK-së, Enver Hoxhaj para delegatëve ka deklaruar se ka qenë insistimi i tij që të mbahet konventa zgjedhore, në mënyrë që gjenerata e re politike të udhëheq më këtë parti.

Lexo edhe

Video

error: