Hoxhaj: Diskursi i Kurtit për luftë për qëllime elektorale, Asociacioni si kundërvlerë e anëtarësimit në NATO
Lexohet për: 3 min.
enver-hoxhaj-2
5 muaj më parë
Linku u kopjua

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, thotë se diskursi për luftë i kryeministrit, Albin Kurti dhe të tjerëve është për qëllime elektorale. Ai thekson se luftë klasike sikurse në vitin 1999, nuk mund të ketë në Kosovë, andaj deklaratat e shpeshta të krerëve të shtetit për rrezikun për luftë nga Serbia kanë dëme politike, diplomatike dhe ekonomike.

Hoxhaj në një intervistë për KosovaPress, akuzon kreun qeveritar se ka degraduar dialogun me Serbinë dhe se ka pranuar një marrëveshje të dëmshme për Kosovën, ku në thelb ka autonominë për serbët në Kosovës përmes Asociacionit. Mirëpo, ai e sheh si të mundshme që të formohet Asociacionit, gjithmonë në përputhje me Kushtetutën si kundërvlerë e anëtarësimit të Kosovës në NATO.

Sipas tij, vendet perëndimore nuk i besojnë më kryeministrit Albin Kurti, andaj dyshon se do të përmbushen edhe tri kushtet e tij të paraqitura rishtazi në dialog. Hoxhaj për KosovaPress, flet edhe për dështimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës, diplomacinë kosovare në mandatin e Kurtit, si dhe për masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, thotë se kryeministri Albin Kurti është dashur që gjatë diskutimeve për Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit, të kërkojë nënshkrimin e tyre dhe jo tash pas një viti.

Ai deklaron se Kurti po i ikë tavolinës së dialogut pasi nuk pajtohet me planin e sekuencimit që i është dorëzuar nga emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, në vizitën e tij të fundit në Kosovë.

Sipas tij, ky plan i zbatimit të marrëveshjes është më i keq se ata paraprak, andaj kryeministri Kurti ka paraqitur kushte për takim të nivelit të lartë në dialog.

Deputeti opozitar deklaron se draft-statuti i Asociacionit i hartuar nga Bashkimi Evropian e kërcënon rendin kushtetues të Kosovës dhe rrezikon ndarjen e brendshme të vendit.

Sipas tij, për këtë temë duhet të tentohet të shkohet përpara në koordinim me aleatët ndërkombëtar. Ai shton se themelimi i Asociacionit duhet të ndodh si kundërvlerë e anëtarësimit të Kosovës në NATO.

Në anën tjetër, Hoxhaj adreson kritika të ashpra ndaj kryediplomatës kosovare, Donika Gërvalla.

Sipas tij, diplomacia kosovare gjatë qeverisë Kurti ka zero rezultate, si në njohje të reja, ashtu edhe në anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Krahas kësaj ai thotë se dështimi për anëtarësim në Këshill të Evropës e ka adresën te qeveria Kurti.

Ai thekson se krerëve institucional iu është bërë e ditur nga vendet kryesore anëtare të Këshillit të Evropës se kurdo që Kosova e dërgon draft-statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese, ata janë të gatshëm të mbledhin ministrat e jashtëm dhe të shqyrtojnë  anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Po ashtu, ai e sheh të domosdoshme edhe largimin e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025