Hoxhaj: Çështja e presidentit ka kohë, me atë duhet të merret koalicioni qeverisës

Hoxhaj: Çështja e presidentit ka kohë, me atë duhet të merret koalicioni qeverisës

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj emërimin e presidentit të ri në Kosovë e konsideroi si çështje të partnerëve të koalicionit qeverisës, por tha se për zgjidhjen e kësaj teme ka kohë dhe hapësirë. Ani pse kërkoi unitet dhe urtësi për të mos lejuar vakum institucional dhe Kushtetues, pas dorëheqjes së ish-presidentit Thaçi, Hoxhaj theksoi se partia e tij nuk ka shqetësime se çka do të ndodhë me koalicionin qeverisës.

Hoxhaj përmes një konference për medie të premten, tha se pas konfirmimit të aktakuzave për Thaçin e Veselin, Kosova është në një situatë të rëndë.

Çështja e zgjedhjes së presidentit është çështje që ka kohë dhe hapësirë. Mbi të gjitha mendojmë që është çështje e partnerëve të koalicionit. Ata që kanë shumicën në Kuvendin e Kosovës do të duhej të marrin qëndrim për një temë të tillë”, tha ai.

Përkundër kësaj, Hoxhaj tha se si parti nuk do të ngritin flamurin e bardhë, por do të qëndrojnë në ballë të udhëheqjes së proceseve që po kalon vendi.

“Të gjithë pa dallim në këtë kohë duhet të tregojmë maturi, urtësi, unitet t’i mbrojmë vlerat dhe të arriturat e Kosovës, të mbrojmë luftën çlirimtare të UÇK-së, të mbrojmë shtetin e Kosovës dhe nuk duhet të lejojmë në asnjë mënyrë vakum apo krizë politike dhe institucionale… Një parti që ka dal nga vlerat e luftës për liri natyrisht se sot nuk ngritë flamurin e bardhë. Por do të qëndrojmë në ballë të udhëheqjes së proceseve që po kalon vendi”, tha ai.

Hoxhaj vlerësoi se kryetari Veseli dhe ish-presidenti Thaçi do të dalin faqebardhë nga kjo sfidë dhe se dje ishin në lartësinë e burrështetasve të rrallë.


“Unë jam i bindur që ata do të dalin fitimtarë e faqebardhë në këtë sfidë të panevojshme e të mundimshme sepse nuk kam asnjë dyshim që lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë një luftë e drejtë dhe e pastër për liri kundër një pushtuesi që po kryente masakra dhe krime kundër njerëzimit…Ne, miqtë dhe bashkëpunëtorët e z. Kadri Veseli e Hashim Thaçi, që rrugëtuam së bashku në shumë procese jetike për lirinë e pavarësinë e Kosovës, jemi krenar për ta, të arriturat e tyre dhe sjelljen shembullore prej liderësh historikë. Ata ishin në lartësinë e burrështetasve të rrallë, që përpara interesit të Kosovës dhe popullit të saj, nuk e vendosën asnjë interes tjetër personal, partiak apo politikë.”, tha Hoxhaj.

Krahas kësaj, Hoxhaj tha se nuk kanë shqetësime se çfarë vizita bënë ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani.

“Ne jemi në një situatë të tillë si PDK ku nuk kemi shqetësime të kësaj natyre, se si sillet zonja Osmani në ngutinë e saj që të merr postin e presidentit, apo shqetësimet se çfarë do të ndodh me koalicionin qeveritar”, tha ai.

Ndërkohë edhe tregoi vendimet që ka marrë dje kryesia e PDK-së, ku e kanë emëruar atë si u.d të kryetarit.

“Kryesia e partisë ma ka besuar mua detyrën e ushtruesit të detyrës së kryetarit të partisë. Kjo është një përgjegjësi e madhe për mua e për këdo që do të gjendej në pozicionin tim. Një sfidë e cila mund të përballohet vetëm nëse forcojmë solidaritetin dhe unitetin brenda partisë.”, ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj u shpreh se Partia Demokratike e Kosovës ka qenë, është dhe do të jetë trashëgimtare e vlerave më të mira të luftës së popullit shqiptar për liri dhe me krenari do të mbrojë lavdinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lexo edhe

Video