Hoti thotë se nuk ishte njoftuar për emërimin e djalit të deputetit Shala konsull në Pragë

Hoti thotë se nuk ishte njoftuar për emërimin e djalit të deputetit Shala konsull në Pragë

Kryeministri Avdullah Hoti ka reaguar ndaj emërimit të Konsullit të Përgjithshëm të Republikës Kosovës në Pragë të Çekisë.

Ai ka thënë se nuk është koordinuar askush me të në lidhje me emërimin e djalit të deputetit Haxhi Shala për Konsull të Përgjithshëm në Pragë dhe se për këtë është në vënë në dijeni vetëm pas raportimit në media.

“Për emërimin e Konsullit të Përgjithshëm të Republikës Kosovës në Pragë të Çekisë, jam njoftuar nga mediat. Ky emërim nuk është koordinuar me mua”, ka shkruar Hoti në Facebook.


Ai ka thënë se Qeveria është në proces të analizimit dhe rishikimit funksional të rrjetit të misioneve diplomatike.

“Pas kësaj analize do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar funksionim efikas të misioneve diplomatike dhe do të sigurohemi që përbërja e këtyre misioneve të jetë në përputhje me ligjin”, është shprehur Hoti.

Ndryshe, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, ka thënë se emërimet e fundit në misione diplomatike nuk janë të saj dhe se ajo do të shfuqizojë këto dekrete.

“Emërimi i Konsullit të Përgjithshëm në Pragë dhe emërimet e tjera që po publikohen këto ditë janë bërë nga ish-presidenti Thaçi, e jo nga unë si ushtruese e detyrës. Përkundër kërkesës sime, deri tani as edhe një dokument i vetëm nuk më është sjellë për shqyrtim, sa i përket shërbimit diplomatik, nga ana e Qeverisë. Konsullata e Përgjithshme në Pragë dhe emërimi i Konsullit të Përgjithshëm aty, janë në kundërshtim me çdo praktikë diplomatike të vendeve demokratike. Nuk mund të hapen Konsullata të Përgjithshme në të njëjtin qytet ku kemi edhe Ambasadë. Fatkeqësisht, ky nuk është rasti i vetëm. Është praktikë e mbrapshtë, të cilën duhet ta kthejmë mbarë. Prandaj ato dekrete do të shfuqizohen”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: