Hoti-Qeverisë: Çfarë menaxhimi katastrofal i parasë publike!

Hoti-Qeverisë: Çfarë menaxhimi katastrofal i parasë publike!

Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, sot ka kritikuar Qeverinë për keqmenaxhim të parasë publike.

Hoti ka potencuar se sikur të ulej TVSH-ja dhe të hiqej akciza përkohësisht, sipas tij, siç kanë propozuar në pranverë, sot çmimet prodhimit për biznese do të ishin më e ulëta.


“Agjencia e Statistikave vlerëson se në tremujorin e tretë të vitit 2022, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, çmimet e prodhimit për biznese u rritën me 17.2% mesatarisht. Rritjen më të madhe e ka pasur energjia elektrike dhe gazi me 49.7%, duke i rritur kështu çmimet e produkteve të konsumit të përditshëm. Sikur të ulej TVSH-ja dhe të hiqej akciza përkohësisht, siç kemi propozuar në pranverë, sot çmimet prodhimit për biznese do të ishte më e ulëta. Rrjedhimisht, çmimet e produkteve të konsumit të përditshëm do të ishin më të ulëta dhe jeta e familjeve do të ishte më të lehtë. Sikur të ulej TVSH-ja dhe të hiqej akciza, sot nuk do të kishim 700 mil euro në llogari të Qeverisë, të cilat po i zhvlerëson inflacioni. Rreth 300 mil euro do të ishin në buxhetin e familjeve dhe bizneseve dhe do të qarkullonin në ekonomi. As nuk i shpenzojnë mjetet për projekte kapitale dhe për rritje të pagave, e as nuk iu lënë qytetarëve që t’i shpenzojnë. I mbledhin pa nevojë, i mbajnë në llogari dhe zhvlerësohen nga inflacioni. Çfarë menaxhimi katastrofal i parasë publike!”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Ndryshe, Agjencia e Statistikave të Kosovës, sot ka informuar se është publikuar Indeksi i Çmimeve të Prodhimit (IÇP) për tremujorin e tretë (TM3) 2022, me ç’rast, indeksi i tërësishëm i çmimeve të prodhimit në Kosovë është ngritur për 11.3% ndërmjet TM3 2022 dhe TM2 2022. Ngritje më të mëdha sipas degëve të veprimtarive ekonomike sipas ASK-së, vërehen te: energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar (46.9%); prodhimi i makinerisë dhe pajisjeve p.k.t (6.5%); prodhimi i pajisjeve elektrike (5.8%); prodhimi i letrës dhe produkteve prej letrës (5.4%); produkteve të fabrikuara metalike, përveç makinerisë dhe pajisjeve (1.6%); prodhimi i produkteve minerale jo metalike (0.5%); prodhimi i pijeve (0.2%); dhe prodhimi produkteve të gomës dhe të plastikës (0.1%).

Lexo edhe

Video