Ish-kryeministri nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Avdullah Hoti, ka komentuar raportin e buxhetit 2023 duke theksuar se kompanitë që kanë pasur kontrata me shtetin janë dëmshpërblyer me 8.5 milionë euro për shkak të inflacionit, derisa janë injoruar shumë kategori të tjera në nevojë. Ai në një postim në Facebook ka akuzuar Qeverinë Kurti për neglizhencë të treguar ndaj nevojave të shumë kategorive të tjera të shoqërisë. “Sipas raportit të buxhetit për 2023, kompanitë që kanë pasur kontrata me shtetin janë dëmshpërblyer me 8.5 milionë euro për shkak të inflacionit. Por kjo nuk ka ndodhur për mijëra arsimtarë, mjekë, policë, shërbyes civilë, ushtarë, pensionistë, familje në asistencë, veteranë të luftës e kategori të tjera. Për të gjitha këto kategori, të ardhurat reale janë ulur për shkak të inflacionit. Pavarësisht rritjes së të hyrave buxhetore që vinte nga rritja e çmimeve, dhe rezolutave të opozitës, qeveria i ka injoruar këto kategori,” ka shkruar Hoti.