Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se më 27 qershor do të nisë dialogu Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë. Ai tha se ka një agjendë të fuqishme ekonomike.
“Më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë e nisim dialogun për njohje reciproke me një agjendë të fuqishme ekonomike. Ky është qëllimi i takimit në Uashington. Unë nuk kam dhe asnjëherë nuk do të kem agjenda të fshehta për dialog, krejt keni me i ditë së bashku”, tha Hoti.
Hoti përsëriti që marrëveshja do të bëhet e tillë qe të kalojë në Kuvendin e Kosovës, në të kundërtën, sipas tij, nuk do të bëhet fare.
“Nuk ka me ardh marrëveshjes që rrëzohet në këtë Kuvend. Nuk keni me pa asnjëherë nga unë platformë ose dokument që ka me u kërkua me dhënë komente e sugjerime, platforma për dialog është Kushtetuta e Kosovës, pikë nuk ka përtej saj”, tha Hoti.
Në raportimin e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Hoti tha se në takime që kërkohen nga partnerët e Kosovës do të shkojë pa vendosur asnjë kusht.
“Do të shkoj në Uashington, Berlin, Paris, sa herë që më kërkohet, pa e vënë asnjë kusht, sepse këta janë partnerët tanë që na kanë mbështetë në të gjitha proceset deri më tani dhe unë atyre u besoj plotësisht”, shtoi Hoti.