Hoti: Krerët e shtetit gjatë vitit kanë pasur më shumë vizita në lindje se në perëndim

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka deklaruar se Qeveria Kurti ka lënduar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai në debatin parlamentar për politikën e jashtme u shpreh se krerët më shumë kanë pasur vizita në lindje se në perëndim.

“Gjatë këtij viti kemi parë shumë vizita të krerëve të shtetit në lindje, shumë më tepër vizita në lindje se në perëndim. Më shumë vizita në seminare ideologjike politike në Ballkan se sa në vendet perëndimore. Dhe kjo mund të duket se është krejt e rastësishme, por besoni që tregon për fokusin e politikës së jashtme të Kosovës. Që Kosova tenton të integrohet në perëndim e jo në lindje”, ka thënë ai.  

Sipas tij, politika e jashtme nuk mbahet me forume.


“Kjo gjendje e politikës së jashtme besoj është e pritshme kur kryeministri në forume ndërkombëtare edhe rajonale më shumë ligjëron për lidhjet e Serbisë me Rusinë se sa për vlerat e Kosovës. Më shumë flet për teori politike nga filozofë të ndryshëm se sa për nevojat e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Hoti.

Edhe ai ka përmendur mungesën e njohjeve dhe gabimeve në politikë të jashtme nga krerët e institucioneve. Sipas tij, nuk ka pasur as reformë për strategji, gjë që ishte pjese e programit qeverisës.

“Shkarkimet e diplomatëve ishin hakmarrje e pastër politike, se kur i bën me plan ato nuk kanë si ndryshe se si të shihet. Ndoshta mund të shihen edhe si nevojë për të demonstruar një fuqi nga qeveria që duhet thënë është ndër qeveritë më të dobëta që ka pasur Kosova në politikën e jashtme. Marrëdhëniet me ShBA-në janë lënduar, ose po e zbus pak, nuk janë në nivelin që kanë qenë e që duhet të jenë. E marrëdhëniet me ShBA-në reflektojnë politikën tonë jo vetëm të jashtme, por kemi një relacion ekzistencial”, ka deklaruar ai.

Po ashtu, ai ka deklaruar se debati me Serbinë është degraduar dhe se për këtë më parë, sipas tij, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje i kanë “qorruar me gazlotsjellës”.

Lexo edhe

Video

1 Koment

  • […] Hoti: Krerët e shtetit gjatë vitit kanë pasur më shumë vizita në lindje se në perëndim ​Abazi për politikën e jashtme: Prej idesë së ndarjes së Kosovës jemi kthyer në pozicion kredibil ​Krasniqi: Donika Gërvalla po prodhon “memes” më të popullarizuara se skandalet humoristike Haradinaj: Qeveria Kurti po bën çmos për të mos implementuar projektet e ShBA-së ​Hoxhaj: S’pres njohje të reja dhe as anëtarësim në organizata ndërkombëtare ​Kuvendi sot debaton për politikën e jashtme […]

Komentet janë të mbyllura.