Hoti i kundërpërgjigjet Thaçit: Nuk e hapim marrëveshjen për AKS-në

Hoti i kundërpërgjigjet Thaçit: Nuk e hapim marrëveshjen për AKS-në

Kryeministri Avdullah Hoti nga debati me shoqërinë civile për dialogun i është kundërpërgjigjur presidentit Hashim Thaçi se nesër nuk do të jetë ditë e rrezikshme për Kosovën.

Ai u shpreh i sigurt se të enjten në Bruksel nuk do të hapet tema e asociacionit të komunave serbe. Kjo e fundit sipas kreut të qeverisë asnjëherë nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, por pas marrëveshjes finale me njohje reciproke duhet të respektohet marrëveshja e ratifikuar më 2013 në Kuvendin e Kosovës.

Gjatë diskutimit të sotëm me shoqërinë civile, kryeministri Hoti tha nuk do të ketë asnjë zgjidhje kreative me Serbinë, por do të dialogojnë vetëm për njohje të ndërsjellë.

Krahas kësaj, shefi i ekzekutivit tha se në tre muajt e fundit sa është në qeverisje asnjëherë nuk i është shtruar  tema e shkëmbimit të territoreve.

“Nesër në Bruksel nuk diskutohet për asociacionit. Nesër ditën e enjte nuk është e rrezikshme për Kosovën. Nesër është ditë e zakonshme ku kryeministri i vendit raporton para Kuvendit të Kosovës. Kaq. Tash më lejoni të them se ne po merremi me gurë në rrugë që janë vendosur në të kaluarën. Është një gurë pengesë që është ratifikuar më 2013 në Kuvendin e Kosovës është bërë akt i kryer. Duhet të merremi me atë, por jemi duke u marrë me mënyrë sistematike duke mos shkaktuar asnjë lloj rreziku për shtetësinë e Kosovës. Nuk jemi duke e hapur marrëveshjen e asociacionit, nuk diskutojmë për asociacionin e komunave me shumicë serbe… Ajo që diskutohet është që pas marrëveshjes  finale dhe pas njohjes reciproke ky është një obligim që është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës me dy të tretat e votave në vitin 2013. Nuk hapet marrëveshja, por është obligim shtetëror i Republikës së Kosovës”, tha ai.

Derisa theksoi se nuk do të sjellë asnjë marrëveshje të veçantë në Kosovë, pos asaj gjithëpërfshirëse.

“Ka pasur një breng prej njërit prej parterëve të koalicionit se të kujdesemi maksimalisht të mos rrëshqasim në dialogun teknik. Unë kam pasur e kam takime të vazhdueshme me kryetarët e partive të koalicionit qeverisë dhe i kam siguruar në detaje për procesin e dialogut se ky nuk është dialog teknik. Unë nuk kam me sjell në Prishtinë asnjë marrëveshje, përveç nëse e arrijmë marrëveshjen përfundimtare”, u shpreh Hoti.


Duke folur për mundësitë e arritjes së një marrëveshje finale, Hoti tha se shpreson se një gjë e tillë do të arrihet brenda një viti, por edhe nëse Serbia nuk pranon Kosova do të vazhdojë shtetësinë e vet.

“Ndoshta nuk arrijmë marrëveshje pas një viti, ndoshta në fund Serbia tërhiqet nga tavolina e dialogut që marrëveshje e parë është njohja reciproke. Nuk e pranon, ne kemi me vazhduar si shtet i pavarur, por me vështirësi për  t’u konsoliduar në arenën ndërkombëtare. Por shteti i pavarur i Kosovës është i përjetshëm, nuk diskutohet ajo çështje”, ka thënë Hoti.

Hoti gjatë këtij diskutimi foli edhe për arritjen e marrëveshjes për normalizim ekonomik me Serbinë. Ai i quajti zhurma pa nevojë gjitha kritikat për studimin e fizibilitetit në liqenin e Ujmanit.

“Te çështja e Ujmanit jam i bindur se po bëhet zhurmë pa nevojë, po shfrytëzohet ky element i marrëveshjes për të bërë politikë ditore”, tha ai.

E nga nikoqirët, drejtoresha ekzekutive e PIPS-it, Leonora Kryeziu kërkoi një konsensus politikë për çështjen e dialogut

“Do të përsërisim thirrjet e vazhdueshme për krijimin e një konsensusi politik në Kosovë. Kemi thënë në vazhdimësi se ka nevojë për diskutime për dialogun në dritë të shtetit dhe shtetësisë, e jo partive”, tha ai.

Një gjë të tillë e kërkoi edhe vetë kryeministri Hoti, i cili tha se ka qenë mjaft transparent duke i njoftuar institucionet dhe liderët politikë për rrjedhën e dialogut.

Nesër pritet të vazhdojë takimi i radhës në Bruksel ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe. Nga këta të fundit është thënë se do të shtrojnë temën e asociacionit, i cili është në kundërshtim në 23 me Kushtetutën e Kosovës.

Lexo edhe

Video

1 Comment

Comments are closed.

error: