Hoti: Do të jetë vështirë për buxhetin e qeverisë dhe komunave që të kompensohen të gjitha dëmet

Hoti: Do të jetë vështirë për buxhetin e qeverisë dhe komunave që të kompensohen të gjitha dëmet

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti gjatë takimit me kryetarët e komunave pas vërshimeve të ditëve të fundit, tha se do të themelojnë një fond emergjent nga rezervat shtetërore për t’iu dal në ndihmë familjeve të prekura nga vërshimet.

Hoti deklaroi se dëmet nga këto vërshime janë shumë të mëdha dhe se do të jetë vështirë për buxhetin e komunave dhe të qeverisë që të kompensohen të gjitha ato dëme.

Megjithatë, ai u ka bërë thirrje kryetarëve të komunave që sa më shpejt të dërgojnë vlerësimet rreth dëmeve dhe pastaj të bëhet shqyrtimi i tyre dhe qytetarët të marrin mjetet.

“Të dakordohemi për themelimin e komisioneve komunale për të bërë vlerësimin e dëmeve, tash dëmet janë bukur të mëdha. Duhet të jemi real, do të jetë vështirë edhe për buxhetin e komunës, edhe për buxhetin qendror që të kompensohen të gjitha dëmet… Atë që duhet të bëjmë është që përmes komisioneve komunale tek vlerësimi i dëmeve të identifikoni familjet në gjendje të rëndë sociale të cilat e kanë të pamundshme që të intervenojnë në sanimin e dëmeve që është bërë në shtëpitë e tyre dhe ne në qeveri, bashkë me ministren e financave, do të themelojmë një fond emergjent dhe mandej varësisht se si na vijnë kërkesat nga komunat, do t’i nxjerrim në mbledhje të qeverisë për të ndarë mjete me procedura të shpejta për familjet që ju i dërgoni në qeveri. Do të bëjmë mandej një komision edhe në nivel qendror në mënyrë që të shqyrtohen të gjitha kërkesat e komunave që proporcionalisht iu dalin në ndihmë familjeve…Një fond emergjent nga rezervat shtetërore dhe sa më parë që vijnë vlerësimet e juaja, ne i shqyrtojmë, e bëjmë një komision prej tre ministrave, sekretarëve dhe i shqyrtojmë dhe besoj gjatë javës së ardhshme mund të marrim edhe vendime për ndarje të mjeteve”, tha ai.

Hoti tha se është lajm i mirë që nuk ka pasur asnjë rast me fatalitet nga këto vërshime, por shtoi se është shqetësuese dëmet që janë bërë në shtëpitë e banimit dhe në toka bujqësore.

“Jemi me fat që nuk ka pasur asnjë rast me fatalitet nga këto vërshime, që unë besoj tregon që institucionet tona në nivel komunal dhe në nivel qendror janë të konsoliduara, të përgatitura që intervenojnë shpejtë në rast se ndodhin vërshime të tilla. Po pavarësisht kësaj dëmet po duket që janë të konsiderueshme në shtëpi banimi dhe në toka bujqësore, ajo që më shqetëson më shumë është në shtëpi banimi në disa raste që unë i kam parë në disa komuna është e qartë që ato shtëpi banimi nuk bëhen të banueshme, ndoshta deri në verë edhe pasi të bie niveli i ujit. Ajo që kisha kërkuar nga ju është të evidentojmë në këtë takim ose në komunikime të drejtpërdrejta të juaja me ministrin e Mbrojtjes, rastet ku FSK mund të ndërhyjë drejtpërdrejt të zëmë për të vendosur ura montuese nëse ka lokalitete që janë të bllokuara edhe nëse duhet edhe intervenimi i KFOR-it në vendosjen e këtyre urave”, tha ai.


Në këtë takim me kryetarët e komunave, Hoti ka diskutuar edhe për buxhetin e vitit 2021 dhe për shpërndarjen e fondit për rimëkëmbje ekonomike.

“Nesër kemi mbledhje të qeverisë, Ministria e Financave e ka përgatitur vendimin për masat për shpërndarjen e fondit për rimëkëmbje ekonomike që e kemi pjesë të buxhetit të vitit 2021. Pjesë e këtij vendimi do të jetë edhe fondi prej 7.5 apo 7.6 milionë euro t’iu shpërndahet komunave për të kompensuar grantin e përgjithshëm, nëse iu kujtohet kur kemi diskutuar vjet në fillim të shtatorit sepse i keni zvogëluar grantin e komunave, grantin e përgjithshëm për shkak që kanë ra të hyrat totale dhe tash e kompensojmë përmes fondit për rimëkëmbje ekonomike në bazë të formulës siç është formula për grantin e përgjithshëm që asnjë komunë nuk i bije me pas fondin e përgjithshëm më të vogël sesa që e ka pasur vitin e kaluar. Një pjesë e mjeteve do të ndahen për arsim edhe për Ministrinë e Arsimit dhe për komunat”, tha ai.

Ndërsa, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni, ka treguar për punën e FSK-së gjatë këtyre ditëve kur vendi është përballur me vërshime.

Ai tha se aktualisht vëmendje të veçantë janë duke iu kushtuar dëmtimeve të disa urave në fshatrat e Kosovës, ku përmendi urën në fshatin Dobroshec të komunës së Drenasit dhe atë të fshatit Hajnoc të komunës së Kamenicës.

“Me pompat e ujit kemi ndihmuar repartin e Pomologjisë në QKUK. Tani në vëmendjen të veçantë janë dëmtimet e urave në fshatin Dobroshec, komuna e Drenasit dhe ura në Hajnoc, komuna e Kamenicës. Këto dy ura lidhin disa fshatra që mbesin të izoluara dhe ne jemi në vlerësim të situatës për të gjitha ato specifika që vijnë nga fusha e xhenios, normal që na duhet edhe një bashkëpunim më i ngushtë me autoritetet komunale sepse flasim për ura të cilat ne i posedojmë në depot tona, varësisht nga specifikat, pengesat ujore, gjatësia e të tjera. Rastin e Kamenicës do të duhej së pari të ndërtohej edhe konstruksioni i cili e bartë urën, do të thotë është diçka që duhet me u menaxhuar nga autoritetet e komunës. Kurse, në rastin e Drenasit është rast më i lehtë, duke filluar edhe nga gjerësia e pengesës e të tjera. Për Dobroshec, llogarisim gjatësia e urës diku 15 metra, kurse në fshatin Hajnoc, gjatësia do të jetë diku 40, kurse ne për momentin posedojmë 43 metra urë të tipit që mund të montohet për një kohë të shkurtër në momentin që sigurohet konstruksioni”, tha ai.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, me kryetarët e komunave ka diskutuar edhe për investimet kapitale, ku iu ka bërë thirrje që për të gjitha ato projekte të bëhen përgatitje për zbatimin e tyre. Temë e diskutimit në këtë takim virtual ishin edhe pagesat e mbetura nga viti 2020.

Lexo edhe

Video

error: