Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka kritikuar Bordin e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) për gjetjet e shumta të Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Gjatë shqyrtimit të këtij raporti në Komisionin për Buxhet, Hoti ka kërkuar shpjegime nga kryetari i Bordit të transmetuesit publik, Besnik Boletini për peticionin e nënshkruar nga 361 punëtorë, të cilët po kërkojnë dorëheqjen e tij të menjëhershme nga kjo pozitë.
Për deputetin Hoti, ajo që është edhe më shqetësuese, është se Bordi ka dëmtuar funksionimin e mediumit publik.
Kryetari i Bordit, Besnik Boletini iu përgjigj Hotit, duke thënë se RTK është në proces të reformës dhe se do të ketë ndryshime.
Kurse, drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj ka mohuar se kanë bërë shkurtime sa i përket kontratës kolektive.
Mes tjerash, Hoti ka ngritur edhe çështjen e dënimeve nga Inspektorati i Punës ndaj këtij mediumi.
Ankesa ndaj këtij mediumi pati edhe deputeti nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj.
Lekaj tha se duhet të fillojë procedurat për shkarkimin e Bordit me të gjitha këto gjetje, sipas tij, ka ardhur koha që të shkoni në shtëpi.
Para dy javësh Sindikata e transmetuesit publik në RTK ka njoftuar 361 punëtorë të këtij mediumi i janë përgjigjur pozitivisht peticionit të Sindikatave për shkarkimin e kryetarit të Bordit të RTK-së, Besnik Boletini.