Lindur në Fishtë të Zadrimës, Gjergj Fishta ndoqi shkollat françeskane në Troshan e Shkodër. Studioi teologji, filozofi e gjuhë të huaja në seminaret dhe institutet françeskane në Sutjekë, Livno, Kreshevo.
Më 1902 u emërua drejtor i shkollës françeskane në Shkodër ku vendosi shqipen si gjuhë mësimi. Përfaqësoi shoqërinë “Bashkimi” më 1908 në Kongresin e Manastirit dhe u zgjodh kryetar i Komisionit të Alfabetit shqip. Më 14-22 nëntor 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë letrare Bashkimi. Ky kongres, ku morën pjesë delegatë katolikë, ortodoksë dhe myslimanë nga Shqipëria dhe jashtë saj, u mbajt për të vendosur përfundimisht një alfabet të gjuhës shqipe. Për më tepër, ishte Gjergj Fishta ai që u zgjodh nga kongresi për të kryesuar komisionin prej njëmbëdhjetë delegatësh që do të përcaktonte variantin më të mirë të alfabeteve të propozuara.Në tetor 1913, gati një vit pas shpalljes së pavarësisë në Vlorë, Fishta themeloi dhe filloi të nxjerrë të përmuajshmen françeskane ‘Hylli i Dritës’, e cila iu kushtua letërsisë, politikës, folklorit dhe historisë.
Nga 5 dhjetori 1916 deri në nëntor 1918 Fishta botoi gazetën e Shkodrës ‘Posta e Shqypniës’, një gazetë politike e kulturore e subvencionuar nga Austro-Hungaria në kuadrin e Kultusprotektorat-it, me gjithë që forcat pushtuese nuk para kishin besim te Fishta për shkak të aspiratave të tij kombëtare. +Po më 1916, së bashku me Luigj Gurakuqin (1879-1925), Ndre Mjedën (1866-1937) dhe Mati Logorecin (1867-1941), Fishta luajti një rol udhëheqës në Komisinë Letrare Shqype, të ngritur prej austro-hungarezëve me sugjerimin e konsullit të përgjithshëm August Ritter von Kral (1859-1918), për të marrë vendim mbi çështjen e përdorimit zyrtar të drejtshkrimit si dhe për të nxitur botimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe.Më 1921 Fishta përfaqësoi Shkodrën në parlamentin shqiptar dhe u zgjodh në gusht të atij viti si zëvendëskryetar i tij. Talenti në gojëtari e ngriti mjaft në detyrat e tij si personalitet politik e, sidomos, si klerik. Në vitet më pas mori pjesë në konferencat ballkanike në Athinë (1930), Sofje (1931) dhe Bukuresht (1932) para se të tërhiqej nga jeta publike për t’ia kushtuar vitet e mbetura urdhrit françeskan dhe shkrimeve të veta.
Gjergj Fishta ishte i pari shkrimtar shqiptar, i propozuar për çmim ‘Nobel’.
Lahuta është një poemë epike historike me 15.613 vargje që vë në qendër luftën për autonomi e pavarësi e, në veçanti, ngjarjet e historisë së Shqipërisë së veriut nga 1858 deri 1913. Kjo kryevepër letrare, e shkruar ndërmjet viteve 1902 e 1909, u ripunua nga autori gjatë një periudhe tridhjetëvjeçare. Është e para ndihmesë në gjuhën shqipe për letërsinë botërore. Botimi përfundimtar i veprës në tridhjetë këngë, u paraqit në Shkodër më 1937 në kremtim të 25-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
Është dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit”.