Historianët e Deçanit i reagojnë Viola von Cramon: Manastiri i Deçanit nuk rrezikohet nga shqiptarët

Historianët e Deçanit i reagojnë Viola von Cramon: Manastiri i Deçanit nuk rrezikohet nga shqiptarët

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan, ka reaguar ndaj   raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian Viola von Cramon, e cila qëndroi sot për vizitë në Manastirin e Deçanit.  

Kjo e fundit në një postim në Twitter ka shkruar se Qeveria e Kosovës duhet të zbatojë aktgjykimin e Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

Ndërkohë që historianët e Deçanit i kujtojnë eurodeputetes gjermane se vendimi për pronat është antikushtetues dhe antiligjor, dhe si i tillë nuk do të zbatohet.


“Viola von Cramon duhet të dijë se vendimi antikushtetues dhe antiligjor i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës i majit 2016, për pronat dhe ndërmarrjet “Apiko” dhe “Iliria”, të cilat në mënyrë antiligjore po mundohen t’i falen Manastirit të Deçanit, nuk duhet të zbatohet, ngase buron në ligjet e kohës se masave të dhunshme të kohës së Millosheviqit. Ligjet, vendimet dhe aktet nënligjore të kohës së Millosheviçit, gjitha shtetet demokratike të botës, përfshirë edhe Gjermaninë, i kanë luftuar dhe i kanë cilësuar diskriminues”, thuhet në reagim.

“Viola Von Cramon dhe gjithë zyrtarët e tjerë ndërkombëtarë duhet të dinë se Manastiri i Deçanit, nuk është i rrezikuar nga askush, pra nga ana e shqiptarëve, ai është i rrezikuar vetëm nga politikat dashakeqe të personelit serb të Manastirit të Deçanit. Pronat dhe Ndërmarrjet “Apiko” dhe “Iliria” duhet të i kthehen në menaxhim Komunës së Deçanit. Ato prona i takojnë deçanasëve, dhe jo Sava Janjiqit”, përfundon reagimi i historianëve të Deçanit.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese e Kosovës pesë vjet më parë i njohu Manastirit të Deçanit pronat përreth tij, të cilat kontestohen nga Komuna e Deçanit.

Udhëheqësit e kësaj të fundit patën deklaruar se pronat përreth Manastirit të Deçanit, që janë 24 hektarë, u përkasin ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” dhe se asnjëherë nuk i kanë takuar Manastirit. Në vitin 1997, autoritetet e atëhershme serbe vendosën që pronat përreth Manastirit të Deçanit t’i takojnë këtij manastiri. Pikërisht kjo është arsyeja pse autoritetet e komunës së Deçanit refuzojnë t’i legalizojnë këto prona.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.